Pollo: Të dy socialistë janë, sikur Rama të kishte standardin e Zaevit

Ish-deputeti i PD-së, Genc Pollo i ftuar në ”A2Cnn” u shpreh i bindur se pengesa e madhe për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është qeveria. ”Pengesë është bërë një qeveri që ka zhbërë shtetin ligjor, ka çmontuar të drejtat e njeriut, ka kapur shtetin dhe është ndërthurur me krimin e organizuar. Është e papranueshme që njeriu që në këtë vend ka pushtetin më të madh dhe për pasojë logjike përgjegjësinë më të madhe, të mos shohë te vetja asnjë përgjegjësi. Ta shikojë te mosmarrëveshjet brenda Evropës dhe mungesën e gjykatave ta shikojë si përgjegjësi të Merkel”.

Ish-deputeti shtoi se duke nisur nga viti 2014, masivisht nisi largimi nga Shqipëria dhe vendi po zbrazet nga demografia dhe emigrimi i lidhur haptazi me mungesën e shpresës. Pollo tha se edhe pse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë kryeministra socialistë, ata kanë një ndryshim mes tyre.

”Në Shkup dhe Tiranë ka kryeministra socialistë, por në Shkup personi në fjalë është njeri më i përgjegjshëm për pushtetin, ndërsa kryeministri ynë i ka të gjitha pushtetet, ka shumë më tepër sesa i jep Kushtetuta dhe megjithatë nuk e pranon dështimin dhe nuk i mendon fare përgjegjësitë politike të qeverisë së tij. Kemi një standard maqedonas që do të doja ta shikoja në Shqipëri. Sigurisht që Maqedonia ka probleme me korrupsionin por tek ne ka korrupsion dhe lidhje të qeveritarëve të lartë me narkotrafikantët”.