Pampuri: Rama jep 20 milionë euro për inceneratorët, s’ka për pensionistët

Ish-deputetja demokrate Oriola Pampuri, denoncon se 19.2% e familjeve shqiptare ushqehen me lista dhe se një në tre familje janë në pamundësi për të siguruar ushqim dhe veshje.

Në një dalje të sotme për mediat ajo tha se në ditën ndërkombëtare kundër varfërisë qeveria e Edi Ramës shfaqet si armikja kryesore e të varfërve dhe e të pamundurve.

Varfëria dhe mungesa e shpresës tek shumica e shqiptarëve për të jetuar më mirë janë dy treguesit me të cilët identifikohet qeverisja e Edi Ramës, i cili ka zgjedhur të vjedhë me një grusht oligarkësh, në vend që të luftojë varfërinë dhe t’u sigurojë shqiptarëve mirëqenie. Qeveria e Edi Ramës lajmëroi dje se buxheti i shtetit nuk ka para për të shpërblyer pensionistët në fund të vitit, por, nga ana tjetër, ai i jep rreth 20 milionë euro në vit vetëm inceneratorëve të tij korruptivë. Këto para do të ishin të mjaftueshme për të siguruar një shpërblim të denjë për moshën e tretë, që ka sakrifikuar më shumë se kushdo tjetër për shoqërinë tonë“, deklaroi Pampuri.

Ajo shtoi se me qeverinë e Edi Ramës, fatkeqësisht, varfëria jo vetëm nuk është luftuar, por është rritur në mënyrë dramatike dhe se me një të rënë të lapsit dhe se ka hequr nga listat ndihmës ekonomike rreth 50 mijë familje dhe ka reduktuar ndjeshëm fondin e ndihmës ekonomike.

Sipas saj, Shqipëria e Edi Ramës është Poema e Mjerimit.

Pampuri tha se shkaku i vetëm për këtë gjendje të mjeruar, për rritjen e kostos së jetesës, për shpunësimin masiv, për pamundësinë për të gjetur një vend pune, është pasurimi i Edi Ramës dhe i një grushti oligarkësh rreth tij.

Që Shqipëria të dalë nga mjerimi migjenian ku e zhytur Edi Rama i duhet një qeveri e ndershme, e cila nuk punon për klientët e kryeministrit, por për mirëqenien e qytetarëve të saj. Partia Demokratike është e gatshme ta kryejë këtë mision. Me programin tonë, në Shqipëri nuk ka për të patur pension nën 250 mijë lekë në muaj dhe pagë minimale nën 400 euro në muaj. Ne kemi njerëzit më të mirë për ta realizuar këtë program dhe vullnetin politik për të sjellë ndryshimin dhe për të rikthyer shpresën“, deklaroi zyrtarja demokrate.