Çejku-Hahnit: Nuk ka dobi t’i bësh reklamë një zyrtari kur produkti është zero

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoni, Arben Çejku, deklaroi në ”A2Cnn” se nëse nuk hapen negociatat me BE-në, fajtori duhet gjetur te qeveria dhe gjithashtu nuk kurseu kritikat edhe për Komisionerin e Zgjerimit, Johannes Hahn. ”Është për të ardhur keq që kemi që nga viti 2014 pa lajme të mira në raport me integrimin në BE. Edhe pse duan t’ia lënë fajin njëri-tjetrit, njerëzit e shikojnë kush është fajtori. Në fund të fundit, ky është një vend me qeveri dhe dështimi lidhet me institucionet. Ky është dështim i turpshëm, ne nuk kemi bërë asgjë”.

Ish-ambasadori nënvizoi se Shqipëria duhet të pranojë që ka probleme dhe jo vetëm që nuk ka bërë hapa përpara, por ka bërë hapa prapa në raport me integrimin. Kur u pyet për deklaratën e Johannes Hahn, i cili u shpreh sot se në rast se nuk ndodh sot hapja e negociatave nuk do të ishte për ndonjë dështim të qeverisë shqiptare. ”Hahn ka dështuar në raport me axhendën që ka patur. Edhe në bisedimet Maqedoni-Greqi, po të mos ishte ndërhyrja e fuqishme amerikane, nuk do të kishte patur progres. Ai nuk ka ndihmuar në zgjerim por ka patur marrëdhënie personale me zyrtarë të korruptuar të vendeve të Ballkanit dhe ndërkohë i është fshehur të vërtetës që popujt e këtyre vendeve dinë dhe zyrtarët e BE dinë. Nuk është e dobishme t’i bësh reklamë një zyrtari të caktuar, ndërkohë që produkti është zero”.

Në fund, Çejku theksoi se opozita, ku ka pasur mundësi të ketë influencë, e ka bërë punën e saj, ndërsa mazhoranca jo. ”Opozita ka një marrëdhënie të ngushtë me CDU/CSU dhe ata po e udhëheqin PO-në. Aty ku mazhoranca mendohej se kishte influencë, kemi dështime, si në rastin e Macron”.