Ajatollah Rama urdhëroi xhihad kundër Francës

Nga Ilir Nikolla

Që kur u zbardh e vërteta se propagadanda e Ramës nuk kishte pirë ujë e se Bashkimi Evropian nuk kishte për t’ja hapur dritën jeshile një vendi të kanabizuar dhe që është shndërruar në eksportuesin kryesor të kriminalitetit në kontinent, Edi Rama ka ndryshuar strategjinë e marrëdhënieve me publikun. Në vend të porosive e tamtam-eve, se megjithë armiqtë e brendshëm dhe disa të jashtëm që s’na e duan të mirën, qeveria e tij ja arriti që t’i çelte negociatat me BE-në, pavarësisht sjelljeve të papranueshme të “pis miletit” në Tiranë, Edi Rama ka lëshuar aradhën e kalemxhinjve dhe politikanëve të paguar që të analizojnë armiqësinë e hershme e të vonë që Franca paska me Shqipërinë e posaçërisht me shqiptarët. Po dëgjojmë fraza të tilla si “Franca s’na e ka dashur kurrë të mirën”, “Franca gjithmonë ka pasur në patronazh Serbinë” apo edhe të fundit se “Franca gjithmonë e ka mbajtur nën zgjedhë Shqipërinë, përmes frankofonëve që i ka arsimuar atje për t’i sjellë në pushtet si spiunë të saj”.
Iku koha kur Rama magjepste Parisin apo kur Parisi ishte kryeqendra e kulturës dhe e diplomacisë botërore. Tani kemi një frankofobi të paguar në radhët e portaleve e të mediave tradicionale, e cila ka vetëm një sponsor e bëhet vetëm për një qëllim. Sponsor është Edi Rama, qëllimi është të mos fajësohet ai për mosçeljen e negociatave, çka do të sillte si lëvizje të domosdoshme politike largimin nga qeveria, njësoj siç ka paralajmëruar se do të bëjë Zoran Zaev në Maqedoninë e Veriut, i cili në fakt është viktima e parë e politikës kanabizuese të Edi Ramës.
Frankofobia ka marrë ngjyra mirëfilli fetare. Po dëgjojmë se ne qenkemi të mallkuar, se në fakt albanofobia për të cilën fliste Sali Berisha në 2012-n, në 100-vjetorin e pavarësisë s’qenka gjë tjetër veçse një prodhim francez, një markë që tani po e nxjerr mbi ujë presidenti Makron, për të rrënuar avenirin e shtetit shqiptar e të “udhëheqësit” të saj Edi Rama, në të mirë të Vuçiçit, sllavëve e të dreqi e di se të tjetërkujt. A thua se shqiptarët janë të gjithë veshëgjatë e s’e dinë se i vetmi që gdhihet e ngryset me idenë se ç’mendon Vuçiçi për këtë punë është vetë kryeministri i Shqipërisë. Kjo mësymje frankofobie po merr ngjyra të mirëfillta antiperëndimore dhe po ushqehet nga parafigma e Ajatollah Ramës se dielli do të lindë prapë në Shqipëri, edhe pse françezt e dreqit s’na duan.
Teza e Ajatollah Ramës, edhe pse antiperëndimore, në fakt po vihet në zbatim për arsye pragmatike. Është si puna e atyre dënimeve me kusht që ajatollahu ynë u bën eksponentëve të krimit: psh, Tahirin e dënon 5 vjet, por e lejon të shkojë në shtëpi. Rama po synon që pas mbylljes së derës nga Brukseli, të prodhojë rrëfimin se në Shqipëri s’ka pse të ndryshojë ndonjë gjë, pasi faji është i françezve e se shqiptarët do t’ja dalin, edhe pas “bllokadës” së BE-së.
Bllokada është ndaj kanabisit dhe një vatre infeksioni që duhet izoluar menjëherë, e më pas duhet bombarduar me antibiotikët e duhur. Izolimin e ka në dorë Perëndimi dhe ai po bën ç’është e mundur për ta bërë këtë izolim të dukshëm për ne. Gjuha e presidentit Makron ishte e qartë si drita e diellit dhe s’ka pse frankofilët e Shqipërisë të ndihen si të frustruar nga kjo situatë. Përkundrazi! Njësoj siç presidenti Shirak përkrahu bombardimet në Kosovë më 1999-n, në mes të mosbesimit të opinionit publik, njësoj presidenti Makron sot po na jep një dorë në betejën kundër të keqes, duke e thënë qartë e publikisht se ku qendron problemi.
Xhihadi antifrancez i Ajatollah Ramës është një lajm i mirë në këtë ditë të keqe për aspiratat shqiptare për integrim në BE. Kush i përgjigjet këtij xhihadi zbulon vetveten dhe na e bën më të lehtë në detyrën, ne të tjerëve që duam një koalicion të madh të forcave perëndimore në Shqipëri, kundër koalicionit të korrupsionit, që po strehohet tek aleanca me forcat e autoritarizmit.

P.S: A thua mësymja antifranceze është frymëzuar nga revolucioni i Ajatollah Khomeinit, imazhin e të cilit Rama po mundohet të kopjojë fije e për pe?