Virgjëreshat dhe gjakmarrja në Shqipëri, revoltohet studiuesi me median gjermane: Ky vend ofron më shumë se kaq!

Foto: Një prej burrneshave shqiptare

Studiuesi Armand Plaka shprehet tejet i indinjuar me faktin që për të disatën herë, mediat e huaja i kushtojnë vëmendje Shqipërisë duke e trajtuar vetëm në aspektin e gjakmarrjes apo virgjëreshave të ashtëquajtura “burrnesha”.

Rasti më i fundit është reportazhi i realizuar nga Arte TV, kanali kulturor franko-gjerman, i cili trajton pikërisht rastin e virgjëreshave shqiptare e konkretisht, personazhin e Bedrie Brahim Gosturanit, 61 vjeçe.

Me të drejtë, studiuesi Plaka thotë se Shqipërinë përpara publikut në Europë, mediat e shpërfaqin vetëm në këtë format ndërsa shton se ky vend ka shumë për të ofruar.

“Na e shpifën me këtë temë! Si ka mundesi që vetëm këtë dinë të nxjerrin nga Shqipëria e t’ia prezantojnë publikut në Europë?”, pyet me habi studiuesi.

REAGIMI I PLOTË I ARMAND PLAKES:

“Na e shpifen me kete teme. Si ka mundesi qe vetem kete dine te nxjerrin nga Shqiperia e t’ ia prezantojne publikut ne Europe.

Thuajse e 100-ta here qe shoh nje reportazh per nje tematike te tille si “virgjereshat e betuara” ( burrneshat), ne keto 10-15 vitet e fundit, duke na bere te na duket vetja si shpellare, si ekzemplare, sikur te rronim ne Mesjete. Si ka mundesi qe krijuesit dhe gazetaret gjermane ( ne kete rast) shfaqin mungese te theksuar kreativiteti dhe interesi dhe risjellin po te njejten tematike, edhe pse i ka dale boja.

Nuk e di a ndodh se aty levrohen fonde, sepse pelqehet nga publiku, apo sepse ashtu i leverdis dikujt apo shumekujt per interesa anti-shqiptare. Ne fakt edhe kinematografia shqiptare e ka sjelle shpesh si teme gjakmarrjen per shembull, aq sa e ka tepruar mund te themi, duke shmangur plot tematika te tjera te mprehta sociale dhe jo vetem, ku shtratin e tyre se pari e gjejne ne qytetet shqiptare. Nje here, para disa viteve kur nje mik me kerkoi te shoqeroja nje grup TV gjerman qe do merrej po me kete teme, refuzova prere duke i thene: Ky vend ofron shume me teper se sa virgjereshat dhe gjakmarrjen! Para tyre sapo kisha shoqeruar nje tjeter ekip gazetaresh qe trajtoi temen e gjakmarrjes dhe i premtova vetes se s’ do ta beja me nje gje te tille ne asnje rast”.

Marrë nga Newsbomb.al