Punonjësja del në pension, “mbyllet” gjendja civile në Balldre

Prej gati një muaji zyra e gjendjes civile në Balldre të Lezhës nuk funksionon normalisht, për shkak se punonjësja ka dalë në pension. Si zgjidhje emergjente, vendorët kanë caktuar aty një tjetër punonjëse vetëm një ditë në javë, ndërsa 4 ditët e tjera, 10 mijë banorë duhet të udhëtojnë drejt Blinishtit për të marrë shërbimet e kërkuara.

Gjendja Civile në Balldre është mbyllur. Shkak është bërë mungesa e punonjëses, e cila ka dalë në pension dhe ende nuk është zëvendësuar.

Një ditë në javë pranë kësaj zyre vjen një punonjëse nga një tjetër njësi administrative, ndërsa katër ditët e tjera qëndron e mbyllur.

Sandër Marashi, Administrator i Balldrenit: Ish-punonjësja e gjendjes civile ka dalë në pension dhe nuk është zëvendësuar.

Administratori i Balldrenit Sander Marashi, pranon se kjo situatë po krijon problematika për banorët që duhet të udhëtojnë të paktën 12 km për të marrë shërbimet e kërkuara.

Sandër Marashi, Administrator i Balldrenit:  Në realitet krijon  probleme sepse ka njerëz që kërkojnë shërbimin, sa i përket disa certifikatave.

Emërimi i punonjëses të gjendjes civile bëhet nga Ministria e Brendshme me propozim të Bashkisë Lezhë, dhe sipas burimeve procedura ligjore tashmë ka nisur.

Premtimi i vendorëve është që problematika do të marrë zgjidhje të shpejtë, por deri atë ditë banorëve të Balldrenit do tu duhet ti kërkojnë shërbimet e gjendjes civile në Blinisht.

/Ora News