Presidenti Meta dekorohet me Medaljen e Kryqit të Madh të Urdhërit të Shën-Karlit të Monakos

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një vizitë zyrtare në Principatën e Monakos me ftesë të Alberti II, Princ i Monakos. Pasi u prit me nderime të larta shtetërore, Presidenti Meta dhe Princi Albert II zhvilluan një takim ku u diskutua për raportet mes dy vendeve. Intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e marrëdhënieve ekonomike, konkretizimi i mëtejshëm i projekteve të përbashkëta në fushat e shkencës dhe mjedisit, si dhe identifikimi i fushave të tjera të bashkëpunimit, ishin në qendër të bisedimeve mes Presidentit Meta dhe Princit Alberti II.

Të dy autoritetet e larta vlerësuan se Shqipëria dhe Principata e Monakos janë të vendosura për intensifikimin e marrëdhënieve. Pas takimit zyrtar, Princi Albert II dekoroi Presidentin Meta, me titullin më të lartë të Principatës së Monakos, Medaljen e Kryqit të Madh të Urdhërit të Shën-Karlit, në vlerësim të angazhimit të Tij konkret për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Në përfundim të vizitës zyrtare, Presidenti Meta vizitoi një nga qendrat më të rëndësishme shkencore të Principatës, Muzeun Oqeanografik.