Presidenti francez Macron vendos: Jo negociata!

Kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk ka arritur të bindë presidentin francez, Emmanuel Macron, për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Merkel u shpreh: “Kemi disa diferenca sa i përket problematikave që janë shfaqur. Ashtu siç e dini, duhet një vendim unanim për çeljen e negociatave”.

Ndërsa Macron tha se përshëndet reformat e ndërmarra nga dy shtetet ballkanike, por theksoi gjithashtu se “do t’i përmbahemi deklaratave tona politike sa i përket çështjeve kaq të rëndësishme”.

Macron tha se Ballkani është një rajon strategjik për Evropën, por fillimisht duhet të reformohet procedura e pranimit. Ai vuri në dukje edhe faktin se rinia shqiptare emigron gjithnjë e më shpesh në Bashkimin Evropian.

“Rinia shqiptare vjen më së shumti në BE dhe e shohim më së shumti në Francë. Unë do të ndalesha sërish te rithemelimi i procedurës apo riparja e saj. Po e shpall vizionin tim gjeopolitik në krah të kancelares, por më duhet të shpjegoj edhe këto gjëra të tjera”, u shpreh Macron.