Macron vë në pikëpyetje vizat: I dhamë Shqipërisë lëvizjen e lirë dhe kemi mijëra që kërkojnë azil

Presidenti i Francës Emanuel Macron në konferencë për shtyp pas takimit me kancelaren Angela Merkel, ka folur jo vetëm për reformimin e BE, por edhe për pikat kritike të Shqipërisë.

Në mënyrë direkte, ai përmendi lëvizjen e lirë të shqiptarëve, që sipas tij është një e drejtë e çuditshme. Shqetësimi i kreut të shtetit francez janë kërkesat e shumta për azil që vijnë nga shtetasit shqiptarë. Deklarata e Macron duket se nënkupton edhe një rishikim të procedurave për vizat.

Mendoj që duhet ta reformojmë këtë procedurë që është aktualisht e pakthyeshme, kemi dhe gjëra të çuditshme në këtë proces. Për shembull kemi lëvizjen e lirë përpara se të hapen negociatat. Kemi lëvizjen e lirë me Shqipërinë pa hapur negociatat dhe kjo është një lloj marrëdhënie e çuditshme. Në mirëbesim kemi dhënë lëvizjen e lirë dhe kemi mijëra e mijëra persona që kërkojnë azil”, deklaroi Macron.

Pas kësaj deklarate për mijëra shqiptarë që kërkojnë azil kuptohet edhe më qartë skema e Francës që të mos hap negociatat me Shqipërinë.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Kancelaren Merkel, Macron zbehu shpresat për një vendim pozitiv për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë takimit të Këshillit të BE. Ai tha se duhet një marrëveshje mirëkuptimi mes të gjitha palëve, dhe kjo ende nuk është arritur. “Europa është një shtëpi e madhe dhe e bukur në të cilën jetojmë së bashku. Kemi njerëz që duan të dalin nga kjo shtëpi dhe të tjerë që refuzojnë të hedhin para të tjera për të investuar në këtë shtëpi. Po ashtu siç ka nga ata që ikin, ne na duhet që të ftojmë në këtë shtëpi dhe miq të rinj. Jam dakord që një formë bonsensi duhet arritur për këtë çështje dhe nuk jemi ende totalisht në këtë pikë. Nuk mund të ndal së thëni se nuk jemi ende në atë pikë të marrëveshjes. Përshëndes kurajon dhe arritjet që janë bërë nga dy drejtuesit e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ata kanë bërë një punë shumë të madhe në vendet e tyre në vitet e fundit. Dhe unë e njoh këtë gjë dhe dua të dërgoj një sinjal pozitiv”, u shpreh Macron.

Lexoni edhe..