Haxholli duhej të ishte në burg natën që shkoi për të vrarë

Gjykata e Kavajës e kishte vendosur në masë sigurie ”arrest me burg”, Dritan Haxhollin i cili u vra disa ditë më parë pas një përleshje me armë në shtëpinë e Marsida Qatjas. ABC News disponon dosjen për veprat penale ndaj 41-vjecarit por që nuk ishte arrestuar nga policia.

Prej më shumë se një muaji, Dritan Haxholli ishte në kërkim, por kjo nuk e pengoi natën e krimit të shkonte tek dritarja Marsida Qatjes. Nga dosja në ngarkim të tij, referuar pesë neneve me vendim të datës 5 shtator 2019, Gjykata e Kavajës caktoi ”arrest me burg” për Haxhollin. Të njëjtën masë sigurie kishte kërkuar edhe prokuroria e këtij rrethi.

“Me datë 23 .07.2019 nga ana e një punonjësi të policisë së rendit publik, pranë komisariatit të Kavajës u konstatua në segmentin rrugor nga Kavaja në Rrogozhinë, tek mbikalimi i Gosës, automjeti tip Audi me targa AA332 XT. Automjeti ka qenë duke udhëtuar në limitet maksimale të lejuara në atë rrugë me 90 km në orë, dhe u konstatua që Audi po rriste shpejtësinë. Kur polici u bëri shenjë të ndalonte, drejtuei ndaloi. Atij iu kërkua leja e drejtimi dhe dokumenti i mjetit. Drejtuesi u prezantua si Tan Peza dhe nuk iu bind policit për tu futur brenda në makinë. Polici njoftoi patrullën e cila do të bënte shoqërimin e tij në komisariat. Por personi i perzantuar si Tan Peza ka kaluar sipër kufizuesve anësore metalike dhe është hedhur në rrugën dytësore. Nga patrullat u identifikua se ky person ishte Dritan Haxholli, thuhet gjatë shqyrtimit të provave nga Gjykata e Kavajes e cila vendosi burg për të akuzuarin”.