“Hapini negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”

Nga Zef Bushati*

Shpresojmë që miliona demokristianë, në të gjitha Partitë Demokristiane të shteteve të Bashkimit Europian, do ta dëgjojnë zërin edhe të demokristianëve shqiptarë, zërin e Partisë Aleanca Demokristiane e Shqipërisë, të partisë më të vogël demokristiane në Europë, në një shtet të vogël në mes të Europës. “Hapni negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”. Shqiptarët janë një nga popujt më të lashtë të Europës, shqiptarët kanë derdhur gjakun 25 vite rrjeshtë nën udhëheqjen e Skënderbeut për liri dhe mbrojtjen e krishtërimit europian. Hapni negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, shqiptarët e Papa Klementi XI-Albani, shqiptarët e Nënë Terezës nuk duhet të penalizohen nga individë të papërgjegjshëm të niveleve të larta të politikës në Shqipëri. Në familjen e BE-së nuk hyjnë individë, por populli shqiptar.

Data 18 tetor 2019 pritet me një interes të veçantë nga mbarë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës. Te kjo datë i kanë sytë, veshët dhe zemrën të gjithë shqiptarët në botë. Demokristianët e Shqipërisë dhe demokristianët e Kosovës, presin me shpresën se demokristianët europianë, demokristianët Gjermanë të CDU/CSU, demokristianët e Austrisë OVP, demokristianët Francezë RF, demokristianët Greke ND, demokristianët Italianë FI, UDC, demokristianët Spanjollë PP, demokristianët Hollandezë CDA, dhe miliona demokristianë në të gjitha partitë e tjera demokristiane të shteteve të BE-së, do ta dëgjojnë zërin e demokristianeve shqiptarë, zërin e Partisë Aleanca Demokristiane e Shqipërisë.

Me besim tek Zoti, shpresojmë që ëndrra e shqiptarëve do bëhet realitet më datën 18 tetor 2019.

*Letër e kryetarit të Partisë Aleanca Demokristiane drejtuar Kryetarëve të Partive Demokristiane, të vendeve anëtare të BE-së