Gazeta gjermane: Refuzimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, një sinjal shkatërrues

E përditshmja gjermane ”Volksstimme” reagon e shqetësuar për bllokimin që Franca i ka bërë fillimit të bisedimeve të anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke theksuar se ky veprim do të thellojë të çarat në zemër të unionit.

“Shqipëria ka qenë kandidate për anëtarësim që në vitin 2014, ndërsa Maqedonia e Veriut që në vitin 2015. Siç duket, dy vendet do ta kenë ende këtë status për një kohë të gjatë”, shkruan gazeta.

“Pra, strategjia e BE për Ballkanin Perëndimor duket të jetë e paqëndrueshme. Tani që… dy vendet po punojnë në mënyrë të besueshme për reformat, BE nuk po e mban fjalën”, thekson ajo.

“Ky është një sinjal shkatërrues. Kjo mund të shihet nga Rusia, Kina dhe Turqia si një ftesë për fuqizimin e mëtejshëm të angazhimit të tyre në Ballkan”, thotë ”Volksstimme”.

“Frenimi i anëtarësimit është i lidhur me diferencat e dukshme mes Francës dhe Gjermanisë. Ky është një mesazh shqetësues në prag të Brexit”, përfundon gazeta gjermane ”Volksstimme”.