Avramopulos apel BE: Mos e lini Ballkanin të ballkanizohet

Një ditë pas ministrat e Jashtëm të BE-së nuk arritën një vendim unanim për fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, komisioneri për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopulos, bëri thirrje për kujdes me Ballkanin.

“Vendimi i Komisionit Europian është shumë i qartë në lidhje me të dy vendet, ato i kanë plotësuar të gjitha kërkesat. Tani dua të bëj edhe një koment politik. Si një njohës i mirë i rajonit, dua të them: Mos e lini Ballkanin të ballkanizohet sipas mënyrës së vjetër,tha Avramopulos, në një konferencë shtypi në Bruksel.

Krerët e BE-së druhen se vakumi që mund të krijojë mos sigurimi i perspektivës europiane mund të mbushet nga fuqi të tjera, si Rusia, Kina apo dhe Turqia.

Vendimi për bisedimet e pranimit do të merret tani nga krerët e qeverive dhe të vendeve të BE-së gjatë takimit të Këshillit Europian më 17 dhe 18 tetor.