Vrapuesi i veçantë në Maratonën e Tiranës, 82-vjeçari udhëtoi nga Anglia për t’u bërë pjesë e saj

Më shumë se 2500 vrapues, profesionistë dhe amatorë, nga mbi 42 shtete të ndryshme nga mbarë bota, i janë bashkuar ditën e djeshme gjysmë Maratonës së Tiranës në edicionin e katërt të saj. Por përpos personazheve të ndryshëm nga jeta kulturore e sportive, të cilët iu bashkuan kësaj gare, nuk mund të mos spikaste një vrapues tejet i veçantë.

Bëhet fjalë për një 82-vjeçar nga Anglia, Rodney Oliver, një gjyqtar i njohur, tashmë në pension, i cili udhëtoi drejt Tiranës posaçërisht për t’u bërë pjesë e garës së gjysmë Maratonës.

Oliver, është gjithashtu një ambasador i shkëlqyer për çështjet shqiptare në Britani që prej vitit 2001.