U vulos përfundimisht nga Venecia: Presidenti asnjë shkelje, as tejkalim!

Në vend që mazhoranca të debatojë për varfërinë e shqiptarëve, për rritjen e pensionëve, për hapjen e vendeve të punës, për luftën ndaj krimit që ka kapur qeverinë, etj., ajo u angazhua në një luftë të pisët ndaj kreut të shtetit.

Komisioni i Venecias i ka dhënë fund dje debatit gati 4 mujor për shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit nga Presidenti Ilir Meta. Dokumenti final i Venecias thotë në mënyrë të qartë se Presidenti nuk ka kryer as shkelje të Kushtetutës dhe as tejkalim të saj në vendimet që ka marrë për datën e zgjedhjeve.

Në këtë mënyrë, gjithë lufta e pistë dhe llumi i akuzave të bëra nga qeveria “Rama” kanë marrë një përgjigje të fortë ndërkombëtare. Venecia dje jo vetëm konfirmoi ligjshmërinë e akteve të kreut të shtetit, por zbuloi dhe manipulimin përvers që PS-ja i bëri një dokumenti ndërkombëtar që doli si draft.

Vendimi zyrtar që u publikua dje nuk përmban asgjë nga akuzat dhe pretendimet që kanë bërë prej më shumë se një muaji deputetët e PS. Sekretari i PS-së, Taulant Balla dhe deputetët e tjerë që kanë sulmuar këto kohë presidentin thërrisnin e paguanin nëpër media që të thuhej se “Venecia shkruan se Presidenti ka shkelur Kushtetutën”. Në dokumentin final jo vetëm s’ka asnjë shkelje, por nuk është as fjala tejkalim i ligjeve, pas së cilës u kapën së fundi deputetët e PS.

Për të kuptuar mashtrimin dhe talljen e PS me opinionin publik, mjafton të kujtojmë se në deklaratën zyrtare të Taulant Ballës thuhej se ekspertët e Venecias kanë shkruar në raport: “Presidenti tejkaloi kompetencat e tij sipas Kushtetutës së pari duke anuluar, më pas duke shtyrë zgjedhjet lokale”. Pra, vet PS nuk e gjente dot fjalën shkelje, por pretendonte se termi tejkalim i nënkupton të gjitha. Në të njëjtën pikë që i referohej PS-ja, dokumenti final dhe i botuar në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias nuk e përmend fare termin tejkalim.

Komisioni i Venecias ka hequr nga drafti gjithë pjesët me të cilat PS-ja manipuloi opinionin publik dhe mediat. Ekspertët e Venecias, në raportin final që është dhe dokumenti që duhet të përdor Komisioni Hetimor dhe më pas, nëse do të duhet edhe Gjykata Kushtetuese, ka hequr çdo pretendim për tejkalim apo shkelje nga ana e kreut të shtetit. Ligjërisht, deputetët që po hetojnë kreun e shtetit nuk kanë asnjë bazë reference ligjore ku të mbështeten për akuzat e tyre.

Ekspertët e Venecias kanë dhënë opinionin e tyre duke u bazuar të Kushtetuta e ligjet shqiptare. Verifikimi i tyre arrin në përfundimin se nuk kemi asnjë akt që mund të justifikojë shkarkimin e kreut të shtetit. Në këtë mënyrë si deputetët e PS dhe të tjerët që do të kërkojnë largimin e kreut të shtetit ligjërisht nuk kanë më asnjë argument. Çmenduria e PS në nismën e çmendur kundër Presidentit mund të sjellë dhe situatën e votimit në Kuvend të një raporti, pro shkarkimit. Por pas verdiktit të Venecias, Edi Rama dhe kushdo tjetër do të thotë pallavra dhe do të sulmojë politikisht kreun e shtetit, por ligjërisht nuk kanë asnjë nen ku të justifikojnë baltën që hedhin ndaj kreut të shtetit. Ekspertizën e Venecias nuk e kërkoi Presidenti Ilir Meta. Komisioni u thirr nga Partia Socialiste për t’a mbështetur në nismën më antiligjore në historinë e shtetit shqiptar, atë të shkarkimit të kreut të shtetit. Ekspertët e Venecias erdhën dhe u konsultuan me Taulant Ballën, Myslim Murrizin dhe këdo deputetë të PS,  edhe “opozitës së re” që u doli para. Megjithëse se fushata anti-President ishte më e ashpra që PS ka bërë ndaj ndonjë figure politike duke sulmuar dhe lobuar brenda e jashtë vendit, Komisioni i Venecias i dha të drejtë Presidentit dhe jo qeverisë.

Në këtë pikë, vendimi i djeshëm i Venecias është një fitore e Ilir Metës. Një fitore që është dhe më e rëndësishme sepse jo vetëm se i dha të drejtë në mbrojtjen e Kushtetutës, por rrëzoi gjithë skemat dhe sulmin më të ndyrë të gjithë strukturave të qeverisë kundër institucionit të vetëm që nuk është kapur nga Rilindja, Presidentit të Republikës.

Mili Xhani