Sali Berisha feston ditëlindjen, ja sa vjeç mbush sot ish-kryeministri

Ish-Kryeministri Sali Berisha mbush sot 75 vjeç. Me anë të një mesazhi në Fb, ish-kryeministri e ka bërë vetë publik këtë lajm dhe tregon sesi ndihet në këtë 75-vjetor.

“Miq, sot 75 vjeç! – shkruan Berisha në Fb. – E para që buron nga shpirti im këtë ditë është mirënjohja e pakufishme ndaj familjarëve të mi të dashur, miqve të ngushtë, shqiptarë dhe të huaj, bashkëpunëtorëve të çmuar, për dashurinë, sakrificat, miqësinë dhe ndihmesën e tyre tejet të vyer, që kanë dëshmuar ndaj meje në çdo kohë dhe çdo stinë dhe kanë bërë të mundur këto 75 vite, të jetoj në realitetin e ëndrrave të mia më të guximshme.

Ndjehem pafundësisht i lumtur, i privilegjuar dhe i bekuar nga Zoti që pata dashurinë, miqësinë, mbështetjen e tyre!

Së fundi miq, këtë dekadë unë kam pasur kënaqësinë dhe privilegjin e veçantë të udhëtoj në vjeshtën e jetës time. Falënderoj Zotin që me fuqinë dhe vullnetin e tij e ka bërë këtë vjeshtë të bukur, si një pranverë të dytë për mua!”