Reja më mirë edhe se De Biasi, starti i 74-vjeçarit është i shkëlqyer

Edoardo Reja mori drejtimin e kombëtares sonë në një moment të vështirë, por në pak kohë ka arritur që të ndërtojë një skuadër shumë solide, që gjen me lehtësi edhe rrugën e rrjetës. Strategu italian nuk u prit me shumë entuziazëm për shkak të moshës (74 vjeç), por në vetëm në 5 muaj, ka arritur që të marrë 3 fitore dhe 3 humbje.

 

Reja e nisi me një humbje minimale 1-0 në transfertë ndaj Islandës, ndërkohë që më pas fitoi 2-0 ndaj Moldavisë. Në shtator, kuqezinjtë u mundën 4-1 nga Franca, në një ndeshje shumë të dobët, por që shërbeu si pikë kthese, pasi 3 ditë më vonë, kombëtarja fitoi 4-2 ndaj Islandës. Për të ardhur te dy ndeshjet e fundit, Shqipëria pësoi një humbje minimale ndaj Turqisë edhe pse dominuam në lojë dhe raste, ndërkohë që mbrëmjen e së hënës fituam 4-0 ndaj Moldavisë.

11 gola të shënuar dhe 8 të pësuar në 6 ndeshje, janë një statistikë e kënaqshme për kuqezinjtë tanë. Strategu italian ka një mesatare 1.50 pikë për ndeshje, më të lartën se të gjithë trajnerët që kanë drejtuar kombëtaren tonë, teksa pas tij qëndron De Biasi me 1.31, por me një numër shumë më të lart ndeshjesh, 15. /R.Lika-Koha Jone/