(Mos)hapja e negociatave..?!

Nga Kastriot Islami –

Është për të ardhur keq dhe për ta cilësuar lajm shumë të hidhur një vendim negativ të Këshillit Europian për moshapjen e negociatave me BE edhe në vitin 2019….Aq më tepër që kjo do të mund të ndodhte thjesht dhe vetëm për arsyen e qartë që lidhet me keqqeverisjen e vëndit…Gjasat duken më të mëdha që shqiptarët të mësojnë këtë fundjave këtë lajm jo fort të gëzueshëm…ndonëse për fatin e tyre të keq një lajm i tillë ishte i pritshëm dhe nuk do të mund të ndodhte ndryshe me një qeveri të korruptuar dhe të inkriminuar, që ka kapur shtetin e sillet në mënyrë autoritare; realitet që e kanë me prova e fakte kancelaritë e 28 vëndeve të BE mbi tavolinë.

***
Franca është shprehur deri tani “kundër hapjes së negociatave” edhe me Shqipërinë, edhe me Maqedoninë e Veriut. Arsyeja e saj është: As vëndet kandidate, në rastin konkret, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, nuk i kanë plotësuar kushtet pra nuk i kanë bërë mjaftueshëm detyrat e shtëpisë për të hapur negociatat. Por as vëndet e BE nuk janë të përgatitura për të hapur negociatat me vënde të reja kandidate për në BE. Thënë troc e qartë, Franca shprehet kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut me BE për dy “blloqe” arsyesh: i) vëndet kandidate nuk kanë plotësuar kriteret për hapjen e negociatave: ii) BE duhet më parë të kryejë një reformë të thellë të brëndshme për të përmirësuar funksionalitetin e saj para se të vazhdojë procesin e zgjerimit.

Hollanda është qartas kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë me argumentin se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave, duke lëshuar kritika të forta për korrupsionin dhe lidhjet e krimit e të trafiqeve me qeverisjen e vëndit. Hollanda nuk ka artikuluara, si Franca, ndonjë arsye qe lidhet me reformën e brëndshme të BE…

Danimarka duke ju bashkuar Francës, ka qëndrim po ashtu kundër hapjes së negociatave, pothuajse të njëjtë me Hollandën…

Gjermania ka prezantuar deri tani një qëndrim më fleksibël, i cili mund të cilësohet edhe më inteligjenti. Gjermania ka pranuar hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut duke filluar diskutimin e 35 kapitujve në fund të vitit. Kurse për Shqipërinë është shprehur dakord në parim për hapjen e negociatave, por nuk ka përcaktuar asnjë datë për hapjen e negociatave deri në plotësimin e 9 kushteve, disa prej të cilave të shtuara gjatë vitit 2019. Ky opsion gjerman për Shqipërinë mund të cilësohet si “hapje e negociatave me kushte”.

Greqia pa u shprehur në mënyrë eksplicite kundër hapjes së negociatave apo hapjes me kusht të negociatave me Shqipërinë, i ka shtuar 9 kushteteve gjermane edhe një kusht “grek” që lidhet me respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, duke vënë theksin në të drejtën e pronës.

Komisioni Europian prej tre vjetësh ka deklaruar se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë plotësuar të gjithë kushtet për hapjen e negociatave dhe i ka propozuar parlamentit Europian, dhe Këshillit Europian hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarsimit me këto dy vënde. Por prej 3 vitesh ky qëndrim hidhet poshtë e refuzohet nga Këshilli Europian ku marrin pjesë kryetarët e shteteve të vëndeve anëtare të BE…

***
Gjasat më të mëdha janë që të aplikohet opsioni francez, i cili për Shqipërinë, është pothuajse i njëjtë me opsionin gjerman. Por ndërsa opsioni francez duke qënë qartas për moshapjen e negociatave evidenton dy arsye, një që lidhet me mosplotësimin e kushteve nga Shqipëria dhe një tjetër me nevojën e një reformë të thellë të brëndshme të BE, opsioni gjerman, më fleksibël, përcakton si arsye të vetme të (mos)hapjes së negociatave mos plotësimin e kushteve nga qeveria e Shqipërisë.

Syri.net
15 tetor 2019