Meta vlerëson ish-Presidentin e Bundestagut gjerman: Mbrojtës i spikatur i fuqizimit të parlamentarizmit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot ish-Presidentin e Bundestagut gjerman, profesor Norbert Lammert me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Në fjalën e Tij gjatë ceremonisë solemne, Kreu i Shtetit u shpreh: “Është një privilegj i veçantë për mua si President i Republikës që të organizoj këtë ceremoni nderimi për një mik të shkëlqyer të Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve, ish-kryetarin e Bundestagut gjerman, profesor Norbert Lammert.

Jo vetëm shumica prej nesh sot këtu, por edhe shumë e shumë të tjerë kanë pasur mundësi të takohen, të bashkëpunojnë e të bashkëbisedojmë me profesor Lammert, duke gjetur tek ai gjithmonë një interlokutor të sinqertë, të drejtpërdrejtë, të përkushtuar e me integritet. Si një mbrojtës i spikatur i fuqizimit të parlamentarizmit, profesor Lammerti ka vendosur një gur themeli të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërparlamentare ndërmjet Bundestagut dhe Kuvendit të Shqipërisë, në mënyrë të veçantë.

Gjatë gjithë periudhës që presidenti Lammerti ka drejtuar Bundestagun, shkëmbimet ndërmjet dy parlamenteve tona kanë qenë të jashtëzakonshme dhe njëkohësisht janë rritur ndjeshëm, sepse ka vizituar disa herë Shqipërinë në atë cilësi.

Ne e dimë shumë mirë rolin e jashtëzakonshëm që ka marrë gjatë asaj periudhe Bundestagu në raport me procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, si faktori kryesor dhe suprem në vendimmarrjen gjermane, por edhe si faktor shumë i rëndësishëm në nivel europian.

Është me vend të vlerësojmë me mirënjohje mbështetjen e madhe që ky institucion i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë në proceset e saj të integrimit europian dhe euro-atlantik. Ndaj i shprehim sot mirënjohjen për mbështetjen e madhë që Bundestagu gjatë kësaj periudhe i ka dhënë Shqipërisë në proceset e saj të integrimit euro-atlantik dhe europian.

Nga viti 2005 deri në vitin 2017, periudhë gjatë së cilës profesor Lammerti ka drejtuar Bundestagun, Shqipëria ka shënuar hapa të jashtëzakonshëm përpara, me anëtarësimin në NATO, me nënshkrimin dhe ratifikimin e MSA-së, me lëvizjen pa viza drejt vendeve anëtare të Bashkimin Europian, por edhe me marrjen e statusit të vendit kandidat.

Sot vendi ynë ndodhet përpara një tjetër vendimi të rëndësishëm që lidhet me çeljen e negociatave të anëtarësimit. Dua të vlerësoj qëndrimin parimor dhe të drejtpërdrejtë të Bundestagut për të siguruar mbështetjen e plotë ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë, pasi rekomandimet e tyre sikurse e dimë të gjithë, kanë qenë të dhëna në kohë, në mënyrë sistematike e të përsëritur, konsistente dhe miqësore për të nxitur më shumë rezultate të prekshme e të besueshme në rrugën e reformave që janë kyçe për demokracinë, sundimin e ligjit dhe që mbi të gjitha, u shërbejnë qytetarëve të vendit tonë.

Po kështu, gjatë asaj periudhe profesor Lammerti dhe Bundestagu gjerman kanë qenë mbështetës të fortë të njohjes së shtetit të Kosovës dhe të nxitjes së të ardhmes së tij europiane, ashtu sikurse për të gjithë rajonin tonë. Jemi të lumtur që sot profesor Lammerti ndodhet në vendin tonë si President i Fondacionit ‘Konrad Adenauer’, një tjetër institucion shumë i rëndësishëm i Gjermanisë, që i ka shërbyer me përkushtim forcimit të marrëdhënieve strategjike ndërmjet dy vendeve tona. Ndërsa sonte do të përkujtojmë 10-vjetorin e veprimtarisë së Fondacionit në Tiranë, , është një rast i lumtur që të kemi praninë e profesor Lammertit duke e konsideruar këtë gjest të qartë të vendosmërisë së tij për t’i kontribuar miqësisë së dyanshme mes vendeve tona.

Ndaj me kënaqësi duke falënderuar të gjithë të pranishmit, nderojmë ‘Me mirënjohje për kontributin e çmuar në forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, si dhe për mbështetjen e qëndrueshme të proceseve demokratike dhe rrugëtimit europian dhe euroatlantik të Shqipërisë’, pikërisht Profesor Lammertin duke i akorduar Dekoratën e lartë ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’, që mban emrin e Heroit tonë Kombëtar. Është pikërisht kjo figurë e madhe, jo vetëm shqiptare, por edhe europiane, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që shekujmë parë ka gdhendur identitetin e pakthyeshëm europian të vendit tonë. Është detyra jonë këtu brenda vendit në radhë të parë, që ta realizojmë projektin madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, pasi kjo është detyra jonë kryesore dhe padyshim që Gjermania, por edhe profesori Lammert do të jenë në krahun tonë për realizimin e tij. Ju faleminderit për çdo gjë profesor Lammert si dhe për kontributin tuaj të madh!”

Pasi Presidenti i Republikës i dorëzoi Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, profesori Norbert Lammert theksoi me mirënjohje mes të tjerash: “Ndiej një nevojë të brendshme që t’ju falënderoj jo vetëm për dhënien e kësaj dekorate, por edhe për motivacionin e saj.

Ju vutë në dukje në fjalën tuaj se unë ndiej një lidhje të veçantë me vendin tuaj, dhe në fakt është vizita e pestë që zhvilloj në Shqipëri. Ndoshta ky numër mund të mos duket shumë i lartë, por gjatë kohës sime si President i Bundestagut gjerman, janë të pakta ato vende të cilat mund t’i kem vizituar kaq herë.

Katër herët e para që kam vizituar Shqipërinë janë realizuar gjatë kohës kur kam qenë president i parlamentit gjerman. Është hera e parë që vizitoj Shqipërinë në cilësinë e drejtorit të Fondacionit ‘Konrad Adenauer’. Ju me të drejtë vutë në dukje edhe lidhjen e ngushtë që ekziston mes atyre dy institucioneve.

Gjatë vizitës sime të dytë pata kënaqësi që të hap zyrën e Fondacionit ‘Konrad Adenauer’ këtu në Shqipëri dhe sonte kemi kënaqësi që të festojmë së bashku 10-vjetorin e çeljes së kësaj zyre. Zoti President, ju jam shumë mirënjohës që gjatë fjalës suaj ju vutë në dukje jo vetëm kontributin tim, por edhe kuptimin dhe njohjen time rreth rëndësisë që ka parlamenti dhe marrëdhëniet parlamentar në zhvillimin e vendeve tona.

Në dyzet vite veprimtari parlamentare besoj se është bërë e qartë, sidomos po të hedhim sytë nga e shkuara, nga historia e Gjermanisë, se ajo që i dallon shtetet dhe rendet e ndryshme, nuk është ekzistenca e qeverive, pasi ato do të ekzistojnë gjithmonë, por ajo çka i dallon është ekzistenca e parlamenteve, sidomos e rolit të tyre për sa u përket miratimit të qeverive, miratimit të ligjeve dhe veprimtarisë në tërësi të shtetit. Në historinë gjermane kemi pasur shumë qorrsokaqe, rrugë të gabuara, të cilat na është dashur t’i përshkojmë për të kuptuar atë e kemi kuptuar sot e që na nevojitet në një demokraci parlamentare.

Me këtë që them dua të mbërrij te roli i parlamentit në përgjithësi, dhe te ai i Bundestagut gjerman përsa u përket proceseve integruese të Shqipërisë. Shqipëria është një nga vendet e pakta, të cilat meritojnë një perspektivë europiane. Kurrë nukkam lënë shteg apo vend që të dyshohet se ky rrugëtim i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të realizohet atëherë kur vendi juaj të përmbushë kushtet. Këtë qëndrim e parashtrova edhe para tri vitesh para Kuvendit tuaj, duke premtuar edhe mbështetjen e parlamentit gjerman. Ajo çka parlamenti gjerman ka vendosur para disa ditësh tregon edhe një herë këtë angazhim e këtë drejtim. Ne jemi të gatshëm tëshoqërojmë në mënyrë konstruktive procesin e integrimit të vendit tuaj, por me pritshmëri të qarta sikurse janë bërë të qarta.”