Kryeministri i Italisë, Ramën: Propozoni një platformë për dialog me opozitën

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Edi Ramën, Kryeministri i Italisë, Conte, konfirmoi mbështetjen për Shqipërinë për hapjen e negociatave. “Jam i lumtur që ndodhen këtu sot. I konfirmova Ramës se Italia mbështet çeljen e negociatave. Të premten do të mbështesim këtë pozicion. Jam i bindur se çelja e negociatave është një mënyrë për të zhvilluar Shqipërinë, në të gjitha asketet”.

Sa i përket krizës politike në vendin tonë, Conte pati një këshillë për Ramën. “Mazhoranca duhet t’i propozojë opozitës një platformë për një dialog, e cili duhet të zhvillohet pa parakushte”, tha ai.

Ndërkohë, Rama falënderoi homologun e tij për mbështetjen, duke theksuar se Italia nuk është lëkundur asnjëherë në qëndrimin e saj sa i përket integrimit të Shqipërisë në BE.

“Erdhi në Tiranë pavarësisht një momenti të ngarkuar punësh në Romë dhe mbledhjes së qeverisë në fund të ditës së sotme, për të dëshmuar një miqësi tradicionale. Vizita e Conte-s është edhe në kuadrin e një javë shumë të rëndësishme për Bashkimin Europian dhe Shqipërinë, ku do të diskutohet edhe vendimi për çeljen e negociatave për anëtarësim. Dua ta falenderoj qeverinë italiane për koherencën e qëndrimit. Nuk është lëkundur në asnjë moment nga mbështetja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në union. Me Conten prekëm edhe aspektin e marrëdhënieve bilaterale. Në të gjitha planet janë pa asnjë shqetësim. Mbetet sfida e thellimit të tyre në aspektin ekonomik. Po ashtu, procesi i reformës në drejtësi dhe ai i integrimit përbëjnë një shtyllë mbështetëse për rritjen e bashkëpunimit ekonomik”, tha Rama.