Franca konfirmon shtyrjen e negociatave: Së pari duhet reformuar procesi

Franca ka përforcuar edhe njëherë qëndrimin e saj kundër hapejes së negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pak para mbledhjes së ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare që do të zhvillohet në orën 15:10, Ministrja e Francës për Çështjet Europiane, Amelie de Montchalin, tha se procesi i zgjerimit ka nevojë për reformim dhe kjo duhet të ndodhë përpara se të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Nuk jam sot në pozicionin për veto. Do të kemi shkëmbime në dy dimensione: Së pari, hapja e negociatave, kjo është diçka që përgatitet në Europë. Ne mendojmë sot se kemi nevojë të rishikojmë thellësisht procesin e negociatave. Ne shohim që është një proces që është i ngadaltë dhe që nuk krijon besim për vendet anëtare. Sepse është shumë i shtrirë në kohë. Pra, si fillim do të flasim çfarë Europa duhet të reformojë në qasjen e zgjerimit dhe negociatave”, tha ajo.

“Kapitujt hapen e mbyllen pa fund dhe nuk i përgjigjen pritshmërive të qytetarëve në Shkup e Tiranë.  Ne shohim që shumë vende që kanë negociuar anëtarësimin kanë parë rritje të emigrantëve ndërsa ishin në negociata, si Bullgaria, Rumania, Kroacia” shtoi de Montchalin.

Ajo theksoi se procesi në tërësi nuk është efiçent dhe se reformat që kërkohen të zbatohen realisht.

“Së pari duhet të diskutojmë procesin, a e konsiderojmë efiçent. Nga ana jonë përgjigja është “jo”. Ne kemi shumë vende që e mbështesin këtë qasje: negocimet kërkojnë riorganizim. Duhet të sigurohemi që reformat që janë kërkuar të jenë reale, të jenë zbatuar. Diskutimet që do kemi do të jenë për këtë çështje. Dua të rikonfirmoj se Franca konsideron se perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor të jetë e plotë. Duhet të bëjmë gjërat në mënyrë të besueshme, të krijojmë besim në rajon dhe Europë”.

Pozicioni i Francës i Francës mbështetet nga Holanda dhe Danimarka. Ministri i Jashtëm Holandez ritheksoi përsëri qëndrimin e tij të mbajtur përpara parlamentit se për Shqipërinë është ende herët për të çelur negociatat.

“Mendojmë se çdo vend duhet gjykuar bazuar në merita. Shqipëria duhet të tregojë më shumë progres. Maqedonia e Veriut duhet të miratojë ligjin për prokurorinë e pavarur”, theksoi Stef Blok.

Megjithatë duket së Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces. Ministri i Jashtëm gjerman tha se duhen mbajtur premtimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Qëndrimi i Gjermanisë është i qartë si kristali. Ne mbështesim hapjen e negociatave bazuar në votën e Bundestagut. BE duhet të marrë përgjegjësi për paqe e stabilitet në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe duhet të mbajmë premtimet”, u shpreh Mass.

Ministrat e Jashtëm do të zhvillojnë në orën 15:10 mbledhjen ku do të shprehin vendimet e tyre lidhur me procesin e negociatave. Nëqoftëse ata nuk do të arrijnë të dalin me një vendim të unifikuar sot atëherë do ti ngelet në dorë liderëve të vendeve anëtare të unionit në takimin e datës 18 Tetor.