Eksperti për Ballkanin: Shqipëria disi më mbrapa se Maqedonia e Veriut

Diplomatët do të gjejnë sërish formulime tipike për mosçeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, thotë eksperti për Ballkanin, Dušan Reljić për DW. Ai kërkon që BE të ndërmjetësojë më fort në Shqipëri.

Deutsche Welle: Ministrat e Jashtëm të BE diskutojnë për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Franca nuk është dakord për të ky hap është herët. Si mendoni si do të përfundojnë ato?

Dušan Reljić: Besoj, se kemi të bëjmë me një situatë, ku ministrat e Jashtëm të BE do ta delegojnë vendimin tek krerët e shteteve dhe qeverive europiane që takohen këtë javë në Bruksel. Kujtoj, se jo vetëm Franca ka rezerva për çeljen e negociatave, por edhe Holanda e Danimarka, e duhet kujtuar, se edhe në Bundestag nuk ishte e lehtë për të gjetur një shumicë për këtë.

Nëse vendimi kalon për të enjten, çfarë mund të ndryshojë?

Dušan Reljić: Nuk mund ta them me saktësi, por javën e kaluar, diplomatët francezë biseduan paraprakisht për këtë, ku thanë shprehimisht, se Parisi nuk do të japë miratimin e tij, në këtë kuptim do të ishte “çudi” nëse Parisi do të ndërronte qëndrim.

E duket se qeveria gjermane është e zhgënjyer për këtë. Ministri i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth që merr pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm në Luksemburg tha, se nëse BE nuk është prezente në Ballkan, kjo mund të sjellë një vakuum që mund të mbushet nga të tjerë. Mendoni se ka rrezik për spostimin e BE nga Kina, Rusia apo Turqia?

Dušan Reljić: Ky rrezik nuk është shumë i lartë. Mjafton të shohësh hartën gjeografike, dhe bëhet e qartë se 6 vendet që nuk janë bërë pjesë e BE janë të rrethuara nga shtete të BE-së apo NATO-s. Po ashtu nëse shikon gradën e integrimit të këtyre vendeve me BE, atëherë shikon se 75% e tregtisë së këtyre vendeve zhvillohet me vende të BE, kjo është më shumë se ç’kanë vetë disa vende të BE me njëra-tjetrën. Edhe shumica e investimeve direkte vjen nga vendet e BE, sistemi bankar është duart e bankave të BE. Edhe diçka tjetër, një çereku i popullsisë së vendeve të Europës Juglindore ka emigruar në vende të BE, edhe në Shqipëri më duket se ka emigruar një çereku i popullsisë. Këto lidhje njerëzore janë për mua një nyje e fortë lidhjeje.

Çfarë mund të qëndrojë si formulim për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut në fund të këtyre takimeve këtë javë, prapë ndonjë formulim i bukur shpresëdhënës?

Dušan Reljić: Mendoj se diplomacia sërish do t’i referohet asaj, se anëtarësimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është në interes të BE-së, por që pret nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut një plotësim më konsekuent të kushteve për negociata, sidomos në drejtim të të drejtave të njeriut, shtetit ligjor, demokracisë duhet më shumë përpjekje, dhe natyrisht lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet marrë shumë, shumë më tepër seriozisht.

Sa efekt negativ për tempin e reformave në këto vende ka shtyrja e sërishme e çeljes së negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut?

Dušan Reljić: Shpeshherë e pyes veten nëse struktura e marrëdhënieve politike dhe ekonomike të këtyre vendeve të Ballkanit me vendet bazë të BE është ngritur dhe nëse kjo strukturë është kthyer në problem për momentin. Nëse e shikon nga ana ekonomike integrimi i fortë me Gjermaninë apo Italinë përbën edhe rrezik. Nëse situata ekonomike në Gjermani apo Itali përkeqësohet, atëherë kjo ka menjëherë tek këto vende efekte të mëdha në eksporte, dhe në investimet që vijnë nga këto vende. Edhe punëtorët që janë në këto vende do të dërgonin më pak para. Pra varësia social-ekonomike e këtyre vendeve është shumë e madhe me BE. Do të ishte në interesin ekonomik të këtyre vendeve që të diversifikojnë më shumë tregtinë me jashtë.

Qëndrojmë tek Shqipëria, ky vend ndodhet prej muajsh në një nga krizat më të mëdha politike prej vitesh. Si e shikoni situatën aty?

Dušan Reljić: Krahasuar me Maqedoninë e Veriut që siguroi një bonus me marrëveshjen me Greqinë, Shqipëria ndodhet disi më mbrapa. Sepse sidomos në një fushë ku BE ka pritur më shumë nga Shqipëria, vetingun e gjyqtarëve dhe përmirësimin e shtetit ligjor vendi nuk ka ecur aq mirë sa BE ka menduar. Shtoji kësaj tensionet e mëdha politike në vend, edhe deficitet në drejtim të shtetit ligjor në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto të gjitha të çojnë në një imazh jo edhe aq të mirë të vendit jashtë.

Pikërisht kjo reformë në drejtësi ka paralizuar Gjykatën Kushtetuese, proceset zgjasin, nuk u menduan pasojat aq shumë në fillim?

Dušan Reljić: Kjo është një gjë që e ndesh shpesh, pra që ide të mira që vijnë nga qendrat e pushtetit në BE apo nga OSBE apo amerikanët, bëhen problematike në zbatim. Jo sepse mungon vullneti për këtë. Ashtu si Shqipëria, edhe Serbia u përpoq të kryente shumë shpejt një reformë në drejtësi. Në fund gjykata i ka ripunësuar gjykatësit me probleme me të shkuarën. Kjo do të thotë, se një reformë në drejtësi ka nevojë për kohë dhe duhet kryer me shumë kujdes, ndryshe krijohen problemet që përmendët ju.

Nga njëra anë përpjekje të qeverisë Rama për të bindur partnerët, se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave, nga ana tjetër protesta në vend, zgjedhje të refuzuara nga opozita. Çfarë mund ta kishte ndihmuar Shqipërinë në këtë kohë, kur BE u duk që ishte e rezervuar…

Dušan Reljić: Për të gjitha vendet që aspirojnë anëtarësimin, nyja e lidhjes me BE duhet parë si një spirancë sigurie. Duhet thënë, se nga njëra anë është e vërtetë që nëse opozita bojkoton parlamentin, kjo e dëmton legjitimitetin e parlamentit, por nga ana tjetër jeta politike nuk mund të ngecë në vend. Tani është momenti që Bashkimi Europian, amerikanët, OSBE të ndërmjetësojnë fuqimisht mes kampeve politike në Shqipëri për të mbajtur në këmbë sistemin politik, legjitimitetin e sistemit politik. Nuk mund të rrish mënjanë e të bësh vetëm sehir.

/DW