Digjet makina në Durrës-Tiranë, ishte denoncuar e vjedhur

Një makinë e cila ishte denoncuar si e vjedhur nga i zoti, është shkrumbuar në flakë në autostradën Durrës-Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së të hënës, ku ka marrë flakë dhe është djegur plotësisht mjeti tip ‘Benz’, i braktisur në anë të rrugës.

Mjeti rezulton në pronësi të shtetasit P.Z., banues në Tiranë, dhe ishte shpallur në kërkim, pasi ishte vjedhur në Tiranë, më datë 23 shtator.

Aktualisht grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.