Basha: Aleatët e Shqipërisë, asnjëherë të gatshëm te mbyllin sytë për vlerat dhe standardet për të cilat qëndrojnë

Kryetari i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, në përshëndetjen e tij në ceremoninë e 10-vjetorit në Shqipëri, e cilësoi Fondacionin Konrad Adenauer si avokatin më të madh të integrimit të vendit tonë dhe të hapjes së negociatave për në BE.

“10 vjetori i themelimit të Fondacionit Konrad Adenauer përkon me një moment historik për vendin tim, marrjen e vendimit për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nuk njoh ndonjë organizëm tjetër në Shqipëri, që të ketë ndihmuar më shumë shqiptarët të ecin përpara në këtë proces sfidues, sesa Fondacionin “Konrad Adenauer”. Është edhe për shkak të ekspertizës dhe mbështetjes së pakursyer të Fondacionit, të ndikimin e tij pozitiv në Berlin, që Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë për të vazhduar rrugën e saj drejt Europës.

Prandaj, më lejoni që, në emër të Partisë Demokratike dhe të opozitës të shpreh mirënjohjen time të thellë për Fondacionin “Konrad Adenauer”. Ju falënderoj përzemërsisht i dashur President Lammert. Përfitoj nga rasti t’ju falënderoj, personalisht, për mbështetjen e vazhdueshme tuajën, për ndihmën e paçmuar që i keni dhënë Shqipërisë, që kur shërbenit si President i Bundestagut, për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, rreth 10 vjet më parë.

Falendëroj drejtuesit e Fondacionit në Shqipëri dhe partinë tonë simotër, CDU-në, për ndihmën e jashtëzakonshme që i keni dhënë Shqipërisë dhe Partisë Demokratike.

Gjatë detyrave të mia si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Brendshëm pata privilegjin të bashkëpunoj ngushtë dhe me sukses të plotë me qeverinë federale, me Bundestagun e deri me drejtuesit e lartë të policisë gjermane si gjatë procesit të antarsimit në NATO, ashtu edhe gjatë liberalizimit të vizave për Shqipërinë.

Aleatë të mëdhenj të Shqipërisë, të gatshëm të ndihmojnë në çdo fushë, kontribuesit numër 1, asnjëherë të gatshëm te mbyllin sytë për vlerat dhe standardet për të cilat qëndrojnë.

Në këto 10 vite Fondacioni “Konrad Adenauer” është identifikuar si një nga avokatët më të mirë të Shqipërisë dhe i përpjekjeve tona për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa!”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i kërkoi sërish miqve gjermanë që të bëjnë çka është e mundur që Shqipëria të hapë rrugën e integrimit, bllokuar prej keqqeverisjes së Rilindjes. Sipas Bashës vendi është në udhëkryq të pameriatuar, por me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, ëndrra për “Shqipërinë si Europa”, do të bëhet realitet

“Ndërsa kremtojmë këtë 10 vjetor, Shqipëria është në një udhëkryq të pamerituar, për shkak të keqqeverisjes së saj. Vendet skeptike ndaj nesh janë shtuar, por për fatin e mirë të Shqipërisë, në këtë proces të një rëndesie jetike për vendin, për shqiptarët, nuk na ka munguar mbështetja e CDU-së, e Kancelares Merkel, e Bundestagut, këmbengulja e miqve tanë, ku dua të veçoj Johann David Ëadephul, Gunther Krichbaum dhe Hans Joachim Falenski.

Ne u bëmë thirrje miqve tanë gjermanë që, megjithë gjendjen e rëndë në vend, shkaktuar nga hapat prapa në lidhje me ekonominë, demokracinë, sundimin e ligjit dhe lirinë e shprehjes, vetëm hapja e negociatave garanton nje vemendje të shtuar të Bashkimit Europian në Shqipëri, një kontroll më të fortë të funksionimit të institucioneve, ndarjes së pushteteve, zgjedhjeve të lira dhe barazisë para ligjit, si garanci për qytetaret e këtij vendi se liritë dhe të drejtat e tyre do të respektohen.

Falë qëndrimit të drejtë dhe parimor dhe mbështetjes së fortë të Kancelares Merkel dhe CDU për Shqipërinë, Bundestag ka propozuar rrugën drejt hapjes së negociatave, që është edhe udhërrëfyesi ynë për daljen nga kjo krizë.

Në këto kohë, për vendin tim, thënia e Konrad Adenauer se ”Demokracia nuk mund të merret kurrë si e mirëqenë”, është më aktuale se kurrë më parë.

Ndaj, unë jam plot besim se bashkë me shqiptarët dhe me ndihmën e miqve tanë, do t’ia dalim ta bëjmë Shqipërinë si Europa.

Me ndihmen e madhe të Fondacionit “Konrad Adenauer” dhe te mikut tim Walter Glos, ne kemi sot programin ekonomik që do ta nxjerrë vendin nga kriza dhe do t’i japë zhvillim ekonomik, kemi të rinj dhe të reja të mirë-trajnuar dhe që jane gati të marrin përsipër sfidat e qeverisjes, po modernizojmë partinë tonë e po vendosim piketat e qeverisjes së nesërme, një qeveri të njerëzve, nga njerëzit dhe që punon për njerëzit.

Jam i bindur se me ndihmen e Tobias Ruttershof, Florian Feirabend, Fondacionit “Konrad Adenauer” dhe mbështetjen e CDU-së do t’u japim shqiptarëve zhvillimin që meritojnë, të ardhmen që presin.

Faleminderit dhe mirënjohje për kontributin tuaj!

Ndihuni krenarë për çfarë keni bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne jemi krenarë që jemi partnerët tuaj me misionin për ta bërë Shqipërinë si Europa!”