ZYRTARE/ “Venecia” tërhiqet: Presidenti Meta nuk ka “tejkaluar kompetencat”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar sot pas publikimit të opinionit zyrtar të Komisionit të Venecias për shtyrjen e datës së zgjedhjeve 30 qershor. Në një deklaratë zyrtare, Presidenti Meta shprehet se qëndrimi i Venecias konfirmon se  “Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese”.

Kreu i shtetit citon dokumentin e Venecias që thotë se “Presidenti i Republikës pati qëllim legjitim, që synonte shmangien e gjakderdhjes, mbrojtjen e pluralizmit politik, ruajtjen e stablitetit dhe të kredencialeve demokratike të vendit”.

Ditën e sotme, Venecia publikoi dokumentin zyrtar për 30 qershorin ku shprehet qartë se kreu i shtetit nuk ka bërë shkelje kushtetuese dhe për pasojë nuk mund të shkarkohet.

Deklarata e plotë e Presidentit Ilir Meta:

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson se Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias konfirmoi të gjitha qëndrimet e Presidentit të Republikës.

Si asnjëherë tjetër, Opinioni përfundimtar pësoi ndryshime thelbësore nga projekti paraprak.

Ndër konkluzionet kryesore u evidentua se:

  1. Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese.
  2. Presidenti i Republikës pati qëllim legjitim, që synonte shmangien e gjakderdhjes, mbrojtjen e pluralizmit politik, ruajtjen e stablitetit dhe të kredencialeve demokratike të vendit.
  3. Kompetencat kushtetuese të Presidentit nuk janë formale.
  4. Dekretet e Presidentit janë në fuqi dhe nuk u sfiduan përpara asnjë gjykate.
  5. Zgjedhjet parlamentare kanë status më të lartë kushtetues se zgjedhjet vendore.

Presidenti i Republikës shpreh keqardhjen që gjatë katër muajve u shpërdoruan energji që do të duhet të ishin në shërbim të integrimit europian të Shqipërisë dhe vendimit të shumëpritur për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.