Venecia/ Xhixho: Asnjë shkelje nga Presidenti, Komisioni Hetimor një farsë

Nënkryetarja e LSI-së, Eris Xhixho, ka komentuar opionin final të Komisionit të Venecias, duke theksuar se Presidenti i Republikës, Ilir Meta nuk ka shkelur asnjë nen të Kushtetutës, duke i qëndruar besnik betimit që ka bërë për respektimin e saj dhe se nuk ka pasur ”tejkalim të kompetencave”, referuar nenit 99 të Kushtetutës së Shqipërisë. Ish-deputetja e LSI-së, përmes një postimi në facebook, thotë edhe se Komisioni Hetimor i ngritur nga PS-ja, është një farsë. ”Nga sot Komisioni hetimor i Parlamentit monist duhet të pushojë së vepruari dhe t’i kërkojë ndjesë shqiptarëve që akuzojë politikisht Presidentin e Republikes që përfaqëson sipas Kushtetutës unitetin e popullit. Qëllimi kryesor i gjithë kësaj farse antikushtetuese ishte uzurpimi i të vetmit institucion legjitim nga Edi Rama”.

Postimi i plotë

“Presidenti i Republikes nuk ka shkelur asnjë nen të Kushtetutës duke i qëndruar besnik betimit që ka bërë për respektimin e saj”

Raporti përfundimtar i Komisionit të Venecias konfirmojë se:

1. Presidenti i Republikës nuk ka shkelur asnjë nen të kushtetutës dhe nuk mund të shkarkohet, si organi i vetëm legjitim në vend garant i Kushtetutës.

2. I vetmi institucion që mund të shprehet për kushtetushmërinë e dekreteve të Presidentit është Gjykata Kushtetuese , e cila nuk është vënë në levizje as nga qeveria dhe as nga parlamenti për të atakuar dekretet.

3. Dekretet e Presidentit janë në fuqi, duke vulosur paligjshmërinë e votimeve moniste të 30 Qershorit.

4.Presidenti i Republikës ka bërë thirrje për dialog dhe ka bërë të gjitha përpjekjet e tij që shtyrja e zgjedhjeve të çonte në një kompromis politik midis partive politike.

5.Është fshirë shprehja “tejkalim i kompetencave “ në nenin 99.

Prandaj nga sot Komisioni hetimor i Parlamentit monist duhet të pushojë së vepruari dhe t’i kërkojë ndjesë shqiptarëve që akuzojë politikisht Presidentin e Republikes që përfaqëson sipas Kushtetutës unitetin e popullit.

Qëllimi kryesor i gjithë kësaj farse antikushtetuese ishte uzurpimi i të vetmit institucion legjitim nga Edi Rama .