Tafaj: Protestat e studentëve i bëjnë mirë sistemit arsimor

Viti i ri Akademik nisi me protesta. Myqerem Tafaj, ish-ministër i Arsimit, thotë se protestat e studentëve do t’i bëjnë mirë arsimit të lartë, pasi, sipas tij, sistemi ka nevojë për reformë të thellë.

”Arsimi i lartë ballafaqohet me një situatë të re, protestat do t’i bëjnë shumë mirë sistemit pasi ka nevojë për reformë të thellë. Problemi i parë është ulja e numrit të studentëve, që po ndodh për shkak të uljes së popullsisë, si efekt i valës së emigrimit masiv në vitet e fundit. Universitetet publike janë të papërgatitur për këtë situatë dhe e kanë marrë shumë lehtë”.

Sipas tij, “Pakti për Universitetin është shumë i pjesshëm: uli pak tarifat e bachelor për vitin e kaluar dhe nuk preku tarifat e masterit”. Kur u pyet se si do të vepronte nëse sot do të ishte ministër Arsimi, Tafaj tha: “Duke qenë se prurja në universitet është shumë e vogël, ne kemi mundësi për të rritur investimin dhe të ofrojmë cilësi më të lartë. Por, duhet parë ku jemi dhe çfarë duhet të ndryshojë në menaxhimin e universiteteve. A kemi elita në drejtimin e tyre? A janë miqësore universitetet tona për të aftit? Këtu duhet nisur puna”.