Shqipëria “e bukur” e Rejës mund me “poker” Moldavinë (VIDEO)

Shqipëria e Edy Reja është një skuadër e bukur dhe fituese. Kuqezinjtë kanë arritur një fitore të thjeshtë 4-0 në transfertën e Chisinaut ndaj Moldavisë. Një duel që do të zgjidhej vetëm brenda 40 minutave të para, ndërkohë që portieri Strakosha ishte një spektator gjatë gjithë ndehsjes. Trajneri Edy Reja e nisi ndeshjen me dy ndryshime nga humbja e fundit ndaj Turqisë. Strategu italian hodhi në fushë Lorenc Trashin në krahun e majtë në vend të Lenjanit dhe Abrashin në mesfushë në vend të Memushajt. Kuqezinjtë e nisën mjaft mirë ndeshjen, duke pasur kontrollin e ndeshjes.

 

Skuadra jonë do të gjente rrugën e rrjetës në minutën e 22-të, me Cikalleshin që përfiton nga një përgjumje e mbrojtjes vendase, dhe me një rrotullim të bukur, arrin që të shënojë. Goli i jep zemër Shqipërisë, teksa në minutën e 34-t, do të kishim edhe fatin me vete. Keidi Bare është në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për të përfituar nga një gabim qesharak i portierit Coselev, i cili i dhuroi topin. 6 minuta më pas, do të vinte edhe goli i debutuesit, Lorenc Tashi, i cili nuk do ta kishte menduar se do të realizonte që në ndeshjen e parë. Mbrojtësi i Partizanit, arriti që të realizonte me një goditje në pozicion të prirët në hyrje të zonës.

Pjesa e dytë do të niste me diktatin e Shqipërisë, që vazhdon me aksionet sulmuese. Në minutën e 55-të, Keidi Bare me një goditje të shpejt e dërgon topin në traversë, dhe më pas del nga zona nga vendasit. Një minutë më pas Abrashi i driblon thuajse të gjithë në zonën kundërshtare, por në fund tregohet egoist duke goditur vet, por do të ndalej nga portieri. Më pas skuadra jonë ul ndjeshëm ritmin, edhe pse trajneri vendos të hedhë në fushë edhe Odise Roshin në minutat e fundit. Në të 82-tën,Reja nervozohet së tepërmi me arbitrin anglez të ndeshjes pas një ndërhyrje të ashpër ndaj Manajt dhe ndëshkohet me karton të verdhë.

Një tjetër provë shumë pozitive e Keidi Bares, i cili më i miri në fushë, ndërkohë që edhe Cikalleshi e Trashit, që gjetën rrugën e rrjetës, luajtën shumë mirë. 2 minuta nga fundi i kohës së rregullt, do të vinte debutimi në kombëtare të dy talenteve Marash Kumbulla dhe Lindon Selahi. Në fundin e kohës së rregullt kuqezinjtë shënojnë golin e katërt me Roshin, i cili jep një asist magjik për Manajn, i cili shënon me finte. Disa sekonda më pas, Roshi shpërthen sërish në krahun e djathtë dhe vendoset përballë portierit, por nuk do të arrin që ta mposhtë. /R.Lika-Koha Jone/

 

MOLDAVI-SHQIPËRI 0-4

90’ GOOL 0-4 Shqipëria dhuron spektakël ndaj Moldavisë. Kuqezinjtë shënojnë golin e katërt me Roshin, i cili jep një asist magjik për Manajn, i cili shënon me finte

56’ Abrashi i driblon thuajse të gjithë në zonën kundërshtare, por në fund tregohet egoist duke goditur vet, por do të ndalej nga portieri

55’ Aksion fantastik i kuqezinjve tanë nga krahu i majtë, topi shkon te Bare, i cili godet mjaft bukur, por goditja e tij ndalet për fatin e tij të keq në traversë

40’ GOOL 0-3 Debutim ëndrrash për Lorenc Trashin. Mbrojtësi i Partizanit shënon një gol shumë të bukur me një goditje me të majtën në hyrje të zonës.

34’ GOOL 0-2 Shqipëria ka edhe fatin me vete mbrëmjen e sotme. Kuqezinjë kanë shënuar golin e dytë me Keidi Baren, i cili përfitoi nga një gabim trashanik i portierit vendas

 

22’ GOOL 0-1 Sokol Cikalleshi më në fund arrin që të gjejë rrugën e rrjetës. Sulmuesi kavajas rrotullohet mjaft mirë në zonë

13’ Cikalleshi merr një tjetër në zonë, shmang daljen e portierit, por më pas humbet kontaktin me topin, që i shkon jashtë vijës anësore

8’ Trashi bën shpërthimin e parë në krahun e majtë, por harkimi i tij në zonë ndalohet nga një mbrojtës kundërshtar.

1’ Cikalleshi merr një top të bukur në zonë nga Keidi Bare, por arbitri akordon pozicion jashtë loje, edhe pse përsëritja lë dyshime

0’ Starton ndeshja me topin e parë të luajtur nga kuqezinjtë tanë

Moldavia: Koshelev, Reabciuk, Mudrac, Posmac, Graur, Ionita, Perpelita, Suvorov, Anton, Sidorenko, Cebotaru. Trajner: S. Altman

Shqipëria: Strakosha, Dermaku, Gjimshiti, Ismajli, Veseli, Trashi, Bare, Abrashi, Gjasula, Manaj, Çikalleshi. Trajner: E. Reja