Ribery: Me Fiorentinën dashuri me shikim të parë, jam stërvitur deri në 4 të mëngjesit

Franck Ribery zgjodhi Fiorentinën për ta vijuar karrierën si futbollist, mbasi u nda me Bayern Munich pas disa vitesh. I intervistuar nga “Corriere della Sera”, kampioni francez thotë se ndihet mjaft mirë në klubin e ri.

 

“Kur pranova të vija në Firence, nuk mund ta dija se do të ishte dashuri me shikim të parë. Por, ashtu ndodhi, që nga mbrëmja e prezantimit. Ajo natë ishte e veçantë dhe gjithmonë do ta marr me vete. Kam pasur oferta të tjera, nga Angli dhe Italia, gjithashtu. Sidoqoftë, biseda me drejtuesit vjollcë më goditi menjëherë.

Në fillim duhej të punoja shumë, por në ndeshjen e tretë kundër Juventusit u ndjeva më mirë. Unë luaj me zemër dhe në fushë jap gjithçka që kam. Pas humbjes kundër Genoa jam stërvitur deri në orën 4 e gjysmë të natës. E bëra këtë, sepse isha i zemëruar dhe më duhej ta përgatisja veten. Po, po, kam qëndruar deri në 4 e gjysmë duke vrapuar në pistë dhe mbi biçikletë, duke dëgjuar muzikë

E ardhmja? Dy vite kontratë me Fiorentinën janë të mira, pastaj të shohim. Unë erdha këtu, sepse jam i uritur dhe dua të fitoj diçka. E ardhmja nuk mund të parashikohet. Kur të vijë koha për t’u tërhequr, do ta bëj. Sidoqoftë, dua të qëndroj brenda futbollit, më pëlqen të punoj me lojtarët e rinj”, deklaroi Ribery.