Negociatat janë shpresa jonë

Nga Ylli Manjani –
Lutem çdo ditë me shpresë që dikush diku atje lart të dëgjojë. Mbase i çon ndonjë fjalë të mirë në vesh hollandezëve e francezëve që të na i çelin ato negociata.

Me çfarëdo kushti të jenë, veç të na i çelin!

Jam i bindur që nuk i meritojmë, por dëshpërimisht kemi nevojë për ta.

Ato negociata, ashtu siç propozohen me kushte, janë fija jonë e vetme e barit ku mund të mbajmë atë pak shpresë se Shqipëria do ndryshojë. Janë shpresa jonë e vetme që një ditë, jo shumë larg nga sot, disa gjëra (jo të gjitha për fat të keq) do shkojnë në vendin e tyre.

Ato negociata janë shpresë për ne sepse tregojnë se dikush diku andej në perëndim do mbajë një sy e një vesh këtu. Flas për sy e veshë që punojnë jo për pensionistë ambasadorë që dynden në pilaf me fruta deti dhe i shërbejnë atij që paguan faturën.

Mos hapja e negociatave do të thotë për ne KAOS. Rënie e lirë e frikshme…. Dhe askush nuk do kujtohet më për ne, ndërkohë që qeveria moniste do sundojë deri në palcën e çdo shqiptari.

Lutem dhe vetëm lutem që të hapen ato negociata sepse kemi nevojë për pak, vetëm pak shpresë!