Kundër Moldavisë duhet fitore, Reja përgatit ndryshime në formacion

Në ndeshjen kundër Turqisë, Edi Reja i besoi të njëjtit formacion që fitoi kundër Islandës. Ndryshimi i vetëm i detyruar ishte ai i Elseid Hysaj të dëmtuar. Një tregues që tekniku kuqezi e ka të konsoliduar në mëndjen e tij skuadrën e parë. Por sfida e Stambollit e luajtur me një intensitet të lartë dhe e luftuar në çdo centimetër të fushës kishte kosto të lartë fizike për disa prej lojtarëve. Çka mund të detyrojë trajnerin të bëjë ndryshime në ekipin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë sot në mbrëmje kundër Moldavisë

Ndryshime në emra, por jo në modulin 3-5-2 të preferuar nga italiani. Tomas Strakosha mbetet zgjedhja e parë për portën, por gabimi që solli humbjen me Turqinë mund t’i kushtojnë vendin e titullarit, duke i dhënë dorë Etrit Berishës.

Një tjetër risi vne në qendër të mbrojtjes. Dermaku pritet të qëndrojë në pankinë, për t’i lënë vend Kumbullës në krah të Ismajlit dhe Gjimshitit. Ndryshojnë krejtësisht krahët. Memolla në të majtë merr vendin e Lenjanit, ndërsa kthehet titullar Odise Roshi në të djathtë. Reja duhet të vlerësojë edhe mesfushën, pasi Gjasula dhe Memushaj shpenzuan shumë energji përballë Turqisë. Në këtë mënyrë, Ramadani dhe Abrashi mund të jenë dy alternativa.

I njëjti diskutim vlen edhe për dyshen sulmuese. Rey Manaj dhe Sokol Cikalleshi ishin dy prej futbollistëve që vrapuan më shumë në trasnfertën e Stambollit. Serish mbeten favoritë për formacionin, por të gatshëm janë Bekim Balaj dhe Taulant Seferi, që kërkon debutimin me ngjyrat kuqezi. Ndeshje kundër Moldavisë mund të jetë një mundësi edhe lojtarët e tjerë që kërkojnë minuta me kombëtaren.