Kuko: Ashpërsimi i Kodit Penal i vonuar

Zv/ministrja e Brendshme Romina Kuko ka deklaruar se të gjitha arrestimet e protestuesve të zonës së Astirit nga ana e Policisë së Shtetit janë kryer në zbatim të Kodit Penal. ”Policia ka theksuar se ndalimet më pas shoqërimet janë kryer në zbatim të Kodit Penal, pra të ndryshimeve të reja, ku bllokimi i rrugës konsiderohet tashmë një vepër penale. Në fakt, nuk është vetëm kjo arsyeja e ndalimit, apo e shoqërimit të tyre por janë 3 vepra: prishja e rendit dhe sigurisë publike, kundërshtimi i punonjësve të Policisë dhe bllokimi i qarkullimit rrugor”. E pyetur në lidhje me metodën e selektimit nga Policia të personave që duhen ndaluar gjatë një tubimi, kur mund të ketë dhjetëra protestues por në pranga bien vetëm pak prej tyre, Kuko tha se Policia bazohet në faktet e mbledhura, ose në kushtet e flagrancës. Sipas Kukos, arsyetimet mbi ligjin mund të jenë të shumta, por kjo nuk i përket aspak punës së Policisë, e cila vepron vetëm duke u bazuar mbi ligjin dhe jo mbi interpretimet e tij.