Kristaq Kume: Komisioni i Venecias, grackë në funksion të interesit politik

Ish-kreu i KQZ-së Kristaq Kume, i ftuar në A2 analizoi skenarët e mundshme që çojnë drejt një reforme zgjedhore që tashmë duket sikur është një kusht i rëndësishëm për çeljen e negociatave me BE-në.

Sipas tij vizita e Glover sot “është thjesht rutinë, do të dorëzoj raportin përfundimtar për 30 Qershorin”, por më interesant për të është pikërisht shtimi i presionit ndërkombëtar për reformën zgjedhore, “jo në nivelin e këshillave por tashmë të detyrave”, që sipas tij si efekt do të “gjenerojë edhe rritjen e presionit kombëtar”.

Gjithsesi, Kume sqaron se sipas tij në qoftë se kjo reformë do të bazohet vetëm në rekomandimet e OSBE-së, pa marrë parasysh kontributet e faktorëve të tjerë, “rezultati nuk do të jetë ai i prituri, por më keq sesa ai që kemi sot”.

Ai sqaron edhe që Ligji zgjedhor në vetvete “nuk zgjidh të gjitha problemet, është vetëm një kusht i nevojshëm, ndërkohë që për të zgjidhur probleme si ato që lidhen me përfaqësimin, duhet një vullnet dhe kulturë demokratike, që i mungojnë politikës por dhe e shoqërisë tonë në përgjithësi”.

Kume komenton edhe vendimin e Komisionit të Venecias, duke e cilësuar si “një grackë në funksion të interesit politik të ditës”. Ky gjykim i tij vjen nga fakti se “Venecia nuk ka mundësi të shprehet për një proces zgjedhor. Venecia ka analizuar çka ndodhur, përballë me atë që parashikon ligji shqiptar”.

Ndërkohë, ka kaluar në heshtje edhe 13 tetori, i dekretuar nga presidenti Ilir Meta si data e zgjedhjeve. Për Kumen, kjo ndodhi sepse “dekreti nuk ka marrë fuqi vepruese, sepse duhej të botohej në revistën zyrtare”, por gjithsesi është “një dëshmi se jemi ende larg për të qenë një shtet i së drejtës”.