Java finale, Shqipëria mban frymën për negociatat

Shqipëria ka nisur të mbajë frymën tashmë që ka hyrë në javën finale të objektivit për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Përpjekjen e saj e mbështesin shumë vende mike dhe prej ditësh vijojnë apelet publike që Këshilli Europian t’i thotë “Po” Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Një draft paraprak i Këshillit, i publikuar dje mbante gjallë shpresat duke rekomanduar hapjen e negociatave me të dyja vendet, ndonëse për Shqipërisë rendiste disa kushte para uljes në Konferencën e parë ndërqeveritare. Një takim mbrëmë mes President francez Macron dhe Kancelares Merkel pritej të ndante fatin e Shqipërisë por duket se Brexit dhe Siria kanë mbizotëruar temat e bisedës.

Numërimi mbrapsht i ditëve për Shqipërinë ka nisur sot, me takimin dyditor në Luxemburg të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ku do të diskutohet edhe për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.