Gratë e Unazës së Re nuk e falin ambasadorin e OSBE: Do bëjmë peticion të shpallet ‘non grata’

Ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt, duke fyer qytetarët që protestojnë

Pas ndjesës së ambasadorit të OSBE në Tiranë Bernd Borschardt, kanë reaguar dhe gratë e Unazës së Re që protestojnë prej rreth një viti.

Të vendosura pranë Gjykatës, në pritje të vendimit për tre prej protestuesve të arrestuar të Unazës së Re, gratë deklaruan për gazetarin Erjon Skëndaj se nuk e falin ambasadorin dhe madje kërkuan shpalljen e tij ‘non grata’.

“Ambasadori i OSBE është person publik, përfaqësues i OSBE. Kur e bën ambasadori i OSBE çfarë mund të bëjë një person tjetër. Nuk e falim, do bëjmë peticion që të shpallet ‘non grata’. Gratë të reagojnë se janë diskriminuar. Edhe Presidentit i bëj thirrje publikisht në emër të grave të Unazës së Re që Borschardt të shpallet non grata. Nuk vlen falja e tij, sepse sjellja është në vazhdimësi.

Ne nuk e shamë, thamë Rama ik. Nuk kemi nevojë për ndjesën e tij, ai të zhduket nga Shqipëria”, u shprehën ato.

Ambasadori i OSBE-së Bernd Borschardt iu ngriti gishtin e mesit protestuesve që ndodhein dje tek Drejtoria e Policisë, pas thirrjeve të tyre “Rama ik” dhe “Shame on you” por sot ai kërkoi ndjesë me një mesazh në “Twitter”.