Borchard ka të drejtë

 Nga Ilir Levonja –

 Sot thuajse në masë webet shqiptare kanë si lajm gishtin e ambasadorit Borchard. Ka një indinjatë thuajse kolektive. Ka një sharje thuajse popullore, por në thelb ambasadori ka të drejtë. Përpara gishtit të tij ka kohë që ua ka nxjerrë kryeministri dhe ju asnjë indinjatë. Madje ky i fundit u ka nxjerrë edhe gjuhën, u ka shfryrë bulçitë dhe prapë asgjë. Sidomos tani që kriza është evidente ju prapë hiç. Me një fjalë kur tall menderen i yti pse ju dhëmb kaq shumë nga i huaji. Kjo ka shpjegimin e thjeshtë, jemi njësoj. Jemi në një farë mënyre edvinër, bullista, nga ata që të nxjerrim gjuhën, gishtin, shajmë nga motra, a robtë. Edhe ky Borchardi me siguri është infektuar për më tepër që ka kohë në vendin tonë. T’i marrim me radhë disa detaje nga tiparet civile a sociale të shoqërisë sonë. Një tregtar kadastre tentuan t’ia burgosnin Edi Ramës, shkoi qehaja Erioni, zëvendësin prezent në sallën e gjyqit. Ka një javë që merret me drejtësinë, megjithëse flet për reformën aty. Sot doli të kërconi dhe Taulanti. Nuk u trondit kaq shumë e nuk akuzoi kënd nga drejtësia me KÇK-të e tija kur Damo Tërmeti ja q….. robtë zgjedhjeve. As kur ministrit të tij iu gjet deri patentë skafi narkotikësh etj. As kur kryebashkiaku i Durrësit jepte e merrte me lista emërore me kartelin e krimit dhe të drogës. Ai i Elbasanit. Ai i Shkodrës në votimet moniste të qershorit të këtij viti. Madje doli i thatë, cung, klishe e propagandës duke thënë se tipa të tillë nuk kanë vend në gjirin tonë. Për më keq akoma, jeni ju që nuk e kuptoni se prurje të tilla janë me marrëveshje të fortësh, eja më jep ca para dhe po u zbulove e di prapë vet ti, po nuk u zbulove i ndajmë tenderat përgjysmë. Nuk bëhet shteti duke dalë kryeministri apo duke çuar qehajanë prezent në salla gjyqi, duke sharë nga foltorja e kuvendit iks prokuror apo iks gjyqtar etj., dhe drejtësia bum aty e bum atje. Pa përmendur mendjembushjen e liderit të rajonit që të kujton Enver Hoxhën me Jugosllavinë e Titos. Ky i ashtuquajturi Shengeni Ballkanik pa Kosovën. Kështu i bie, si puna e gishtit të Borchardit, pra fillimisht nga i yti pastaj i huaji. Të marrim këta studentët, e ardhmja e vendit. Ankohen për rehatin e tyre, po mbushin muret me parulla si debatikasit. E ardhmja e vendit që thotë nuk merremi me politikë, me një fjalë me vendin, po me komoditetin tonë. Askush nuk ankohet apo të pendohet e të kuptoj e të dali në protestë se përse sot një Universitet si Elbasani mbyll 11 degë, kurse në një Universitet si Shkodra nuk ka nuk rezulton sikur një student i rregjistruar për Fizikë. Pra i bie të shkruajmë parulla natën pa e menduar kurrë se rehati dhe komoditeti i një gjenerate është i vogël dhe barabar me gishtin Borchardit. Nga ana tjetër opozitarët, i kanë varur shpresat tek çuni Fahriut dhe Luli që fle gjumë. Nuk doli kush t’i hedhi një kovë me ujë, ta zgjoj se hallet e Shqipërisë nuk janë vetëm tek Astiri. Pika opozitarin që pret radhën dhe kurrë nuk e kuptoj se o shkeli rrugët dhe merr trofeun, o merr gishtin e Borchardit dhe hap krahun. Po ikën tetori dhe Luli përpiqet të bëj marrëveshje me Damo Tërmetin. Një opozitë që nuk imponohet as vendit nuk i duhet për qeverisje. Eshtë fytyra e dështimit të kastës që pret, ose të kastës me marrëveshje nën rrogoz, jo si produkt i indinjatës popullore a i një projekti ekonomik. Tipari tjetër jemi ne në tërësi, një bum tymnaje që kurrë nuk e kuptuam se sa po humbim. Se nuk i ka fajin Franca, Danimarka apo Hollanda…, as ky ambasadori me syze të lodhura që na nxjerr gishtin. Ne që jemi bij të propagandës, ushtarë të shallavarexhinjëve dhe kastës së tyre. Ka një vlim studiove dhe sot u arrit ajo që kurr nuk duhej të ndodhte mes Shqipërisë dhe Kosovës, një përçarje totale mes dy klasave politike. Ndërsa Shqipëria është në një krizë deri ekzistence, Kosova shpërndau pushtetin me përqindje të ulta. Të paktën këta liderë të rinj po flasin për ekonominë në planë të parë. Gjë që kurrë shqiptarët nuk duan ta kuptojnë se bashkimi kombëtar apo futja në Europë janë pengesa me stika shkrepsesh nëse konsolidon ekonominë. Shkoni sot dhe kërkoni informacion pranë ambasadës amerikanë në lidhje me aplikimet për lloton dhe shifra që do t’ju japin do ju bjerë kokës. Këto janë rezultatet e arritjeve të një qeverie që sot i bën lapidar presidentit dhe nesër kërkon ta vari në sheshe publike. Këto janë rezultatet e një kuvendi listash ku dominon estrada e Rudinës dhe atij dëpës me mëngë të përveshura. A ka të drejtë Borchardi të talli menderen me ne…, po dhe nuk e luan topi.