Basha: Shqipëria në udhëkryq. Koha të marrim vendime të përgjegjshme

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha po merr pjesë në 10 vjetorin e themelimit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, me president Michael Granoff.

Në ceremoni merrnin pjesë gjtihashtu dhe ish-zëvendës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland. Pas video-mesazheve të presidentëve amerikanë ndër vite si Bill Clinton, Gerge W Bush dhe Barack Obama, fjalën do ta merrte edhe kryedemokrati Lulzim Basha.

Ai e vuri theksin tek udhëkryqi ku ndodhet sot Shqipëria. Basha tha se vendi ndodhet në mes dy rrugëve: të gjejë rrugën e zhvillimit apo të ecë indietro si tani me qeverinë aktuale.

“Dialogu me miqtë dhe partnerët tanë strategjikë është në zemër të së ardhmes plot shpresë për Shqipërinë. Askush nuk duhet ta vërë në dyshim: e ardhmja jonë është plot me shpresë. Por sot kombi ynë ndodhet në udhëkryq. Ndërkohë që duam të afrohemi më shumë drejt miqve dhe partnerëve tanë në Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, ne na pret një punë kolosale, me reforma dhe ndryshime të mëdha përpara.  Shqipëria është në krizë, dhe potenciali ynë i madh fatkeqësisht nuk po realizohet. Ndaj dhe koha kur jemi mbledhur për të përkujtuar 10 vjetorin e AADF është domethënëse. Në këtë udhëkryq ku ndodhemi sot, ne na duhet të zgjedhim cilën rrugë do të marrim.

Do të zgjedhim rrugën e lirisë, transparencës, llogaridhënies dhe zhvillimit? Apo do vazhdojmë të ngecim në rrugën e tanishme, me marshin në indietro. Zonja dhe zotërinj, miq, Nuk kemi zgjedhje tjetër për veç se të marrim rrugën e parë. Rrugën e zhvillimit. Dhe për ta bërë këtë të mundur, na duhet jo vetëm të punojmë ngushtësisht me ju, me miqtë e partnerët tanë euro-atlantikë, por të vëmë në jetë reforma dhe ndryshime të mëdha. Na duhet ta pastrojmë Shqipërinë. Na duhet të marrim vendimet tona të përgjegjshme si liderë, për të respektuar bazat dhe parimet e demokracisë së vërtetë perëndimore. Nuk mund të lejojmë më korrupsionin ti zërë frymën qytetarëve tanë.

Nuk mund të lejojmë më qeverisjen e mbyllur, inefiçente dhe inefektive të bëhet pengesë për jetën e përditshme dhe të ardhmen e shqiptarëve. Ju bëj thirrje miqve tanë në këtë sallë dhe kudo: Le të punojmë për Shqipërinë, le të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Një të ardhme të hapjes dhe të transparencës. Një të ardhme ku ato vlera të shenjta të mishëruara në vetë Kushtetutën Amerikane të bëhen pjesë e jetës tonë të përditshme.

Që të kemi një qeveri me të vërtetë të njerëzve, nga njerëzit dhe që punon ditë e natë për njerëzit. Unë kam besim se kjo e ardhme është shumë e afërt. Sepse besoj tek Shqipëria. Ju faleminderit për miqësinë dhe ndihmën tuaj të pakursyer në gjithë këto vite dhe dekada. Dhe faleminderit që keni zgjedhur të jeni në krahun tonë në këtë rrugëtim për ta çuar vendin tonë dhe fëmijët tanë drejt zhvillimit dhe mirëqenies”, tha kreu i PD-së, Lulzim Basha.