10 mijë tekste shkollore për nxënësit e diasporës

10 mijë tekste shkollore në shqip janë shpërndarë për nxënësit e diasporës shqiptare. Projekti është realizuar nga Ministria e Jashtme në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Diasporën dhe Qendrën e Botimeve për Diasporën, si dhe me mbështetjen e përfaqësive diplomatike. Përmes një postimi në facebook, Gent Cakaj, ministri i Jashtëm në detyrë, u shpreh se kjo nismë, vjen në kuadër të angazhimit që ka marrë qeveria e Shqipërisë, për jetësimin e kulturës dhe gjuhës shqipe në diasporë. Qëllimi i kësaj nisme, është nxitja e brezave të rinj në ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor duke vlerësuar po aq të rëndësishëm forcimin e bashkëpunimit të marrëdhënieve me shqiptarët të cilët jetojnë e punojnë jashtë vendit. ”Qeveria e Shqipërisë do të vazhdojë mbështetjen e pakursyer për diasporën e të thellojë tutje marrëdhëniet me shqiptarët kudo që ndodhen”.