Zekthi: Qeveria duhet të rrëzohet

Gazetarët Fitim Zekthi dhe Genc Burimi ndajnë mendime të ndryshme sa i përket situatës politike në vend por edhe kushteve për hapjen e negociatave. Në studion e lajmeve në RTV Ora, gazetari Fitim Zekthi tha se është qeveria ajo që po pengon hapjen e negociatave, duke mos përmbushur kushtet e kërkuara nga BE. Sipas tij, qëllimi i PD për të rrëzuar këtë qeveri është e drejtë.

Pjesë nga debati

Genc Burimi: Asnjë kancelari evropianë nuk do të miratonte rrëzimin e Ramës, do të quhet puç.

Fitim Zekthi: Ka shumë qeveri që bien për shkak se humbasin legjitimitetin. Qeveria shqiptare për shkak të përgjimeve të botuara nga BILD e ka humbur legjitimitetin, është dëshmuar qartë që zgjedhjet janë blerë.

Genc Burimi: Kush e thotë këtë? Demokracia njeh ose zgjedhjet ose një drejtësi e pavarur.

Fitim Zekthi: Kur qeveritë deligjitimohen bien, nëse kjo qeveri nuk do bjerë ne do vazhdojmë me këtë rrugë. Opozita propozon një qeveri tranzitore në mënyrë që kjo natyra autoritariste të bjerë. Nëse kjo qeveri nuk do bjerë ne do lëngojmë derisa kjo qeveri të bjerë. Kjo qeveri ka uzurpuar pushtetet. Edhe kushtet që thotë Bundestagu janë një rrugë drejt kësaj zgjidhje.

Genc Burimi: Nuk ta pranon Evropa. Në asnjë kusht nuk lexohet rrëzimi i qeverisë. Do të ishte gafë diplomatike, asnjë qeveri evropiane nuk do pranonte të thoshte të rrëzohet një qeveri pa zgjedhje. Është jashtë botëkuptimit evropian.

Fitim Zekthi: Zgjidhja është ndryshimi i qeverisë, o bie me protesta ose bie nga presioni ndërkombëtar ose vazhdojmë me këtë gjendje.

Genc Burimi: Presioni ndërkombëtar, zero.

Fitim Zekthi: Nëse nuk bie me protesta do vuajmë qeverinë. Problemi është qeveria, nuk zgjidhet ky problem pa lëshuar qeverinë, qeveria lëshuar ose duke e rrëzuar ndërkombëtarët ose duke e rrëzuar qytetarët. Nëse nuk e rrëzojnë ndërkombëtarët dhe shqiptarët, qeveria do rrijë dhe ne do vuajmë.