Rikonstruksioni i godinës së DRSHTRR Fier, Balluku: Kushte më të mira pune dhe shërbimi për qytetarët

Rritja e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve si dhe përmirësimi i infrastrukturës janë në fokus të punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Për këtë qëllim në DRSHTRR Fier ka nisur realizimi i një investimi, i cili do të bëjë të mundur transformimin rrënjësor të mjediseve të kësaj drejtorie, duke siguruar kushte më të mira pune për personelin dhe veçanërisht për kushte komode për shërbimin ndaj qytetarëve.

Godina aktuale e DRSHTRR Fier gjendet në kushte të pamjaftueshme për të ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme dhe për pasojë është kërkuar shtimi i ambienteve të shërbimit dhe rikonstruksion pjesor i saj. Projekti, i cili tashmë ka nisur të zbatohet, konstiston në ndërtimin e një shtese anësore, në krahun perëndimor të godinës ekzistuese, e organizuar në 2 kate, si dhe riorganizim i ambienteve ekzistuese duke ofruar komoditet dhe cilësi.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR, Blendi Gonxhja kanë inspektuar punimet e nisura për realizimin e këtij projekti. Duke e cilësuar Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Fieri si një ndër më të rëndësishmet në vend, referuar numrit të madh të qytetarëve që marrin shërbim pranë saj gjatë një viti, ministrja Belinda Balluku tha se ndërhyrja që po bëhet do t’i japë zgjidhje për një periudhë afatgjatë shqetësimit të këtyre viteve si për punonjësit e kësaj drejtorie ashtu edhe për drejtuesit e automjeteve.

“Kjo është një nga Drejtoritë Rajonale më të rëndësishme. Ne e kemi identifikuar në fillim të vitit problematikën, që kishim këtu, ndaj koha për ndërhyrjen ka ardhur dhe është shumë e rëndësishme që të jetë një ndërhyrje që do funksionojë afatgjatë dhe mos të na duhet të ndërhyjmë prapë”, nënvizoi Balluku.

Ministrja theksoi se përveç shërbimeve që janë përmirësuar ndjeshëm tashmë duhet të përmirësohen edhe ndërtesat, sistemet, rrjeti dhe gjithçka duhet të informatizohet. “Është e papranueshme që ne të vazhdojmë të punojmë me letra, të cilat sado të kujdesshëm të jemi nuk i ruajmë dot. Arkivat elektronike janë synimi kryesor përsa i përket kësaj pjese”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bisedoi edhe me punonjësit e DRSHTRR Fier ku kërkoi prej tyre përkushtim maksimal në mënyrë që gjatë muajve që do të bëhen punimet për rikonstruksionin e godinës të mos ndikojnë në cilësinë e shërbimit që ju ofrohet qytetarëve.

“Gjithmonë në fazat e tranzicionit kur ka punime, kur do ndryshohen shumë gjëra brenda, përfshirë sistemin elektronik edhe gjithçka tjetër, kërkohet nga ju një impenjim shumë i madh, që të gjitha proceset të vazhdojnë pa ndërprerje dhe të mos kemi qytetarë të mërzitur. Proceset nga një herë mund të vështirësohen nga pak për shkak se aty do të ketë punime, por ama gjithçka që po bëjmë sot është për të qenë edhe ju në kushte më të mira, në mjedise më të mira pune, por dhe qytetarët t’i marrin shërbimet në mjedise ashtu siç ju takon. Të gjithë së bashku duhet të lehtësoni këtë fazë tranzicioni kaq të rëndësishme”, u shpreh Balluku.

Në DRSHTRR Fier ofrohen më shumë se 165 mijë shërbime gjatë një viti kalendarik duke e renditur këtë drejtori në vend të tretë në rang vendi sa i takon numrit të shërbimeve të ofruara.