Memushaj: Ta harrojmë humbjen ndaj Turqisë, me Moldavinë do tregojmë sa jemi “pjekur”

Në konferencën për shtyp , në krahë të trajnerit Edy Reja, ishte edhe kapiteni i kombëtares kuqezi Ledian Memushaj i cili deklaroi se Shqipëria duhet ta harrojë sa më shpejt humbjen ndaj Turqisë.

 

“Normal, që ndeshja me Turqinë na zhgënjeu shumë, por besoj se duhet që ta harrojmë sa më shpejt. Nesër kemi një ndeshje shumë të rëndësishme dhe duhet që ta përgatisim sa më mirë.

Roli im si kapiten është normal dhe mendja është te ndeshja e nesërme që është akoma më e rëndësishme. Këtë e kam të qartë unë, por edhe shokët e skuadrës. Do të hyjmë në fushë për më të mirën.

Duhet që të përmirësohemi si ekip, por edhe me Turqinë treguam nga ana teknike dhe taktike që jemi përmirësuar shumë. Këto janë nga ato ndeshje që nga një anë tregojnë vështirësinë e tyre, por nga ana tjetër tregojnë se sa është ‘pjekur’ ky ekip. Nuk ka faj vetëm sulmi, por edhe ne mesfushorët duhet që të përmirësohemi”, deklaroi Memushaj.