Shpërthen Ngjela: Rama, jep dorëheqjen! Je një injorant politik!

Avokati Spartak Ngjela ka reaguar ashpër ndaj kreut të qeverisë dhe mikut të tij, Edi Rama. Në një shkrim të publikuar në Facebook, Ngjela i kërkon kryeministrit Edi Rama të japë menjëherë dorëheqjen. Ai thotë se largimin e Ramës nga pushteti tani po kërkojnë të gjitha vendet e BE-së, ndërsa e cilëson kreun e qeverisë “një injorant të trembur politik”.

Shkrimi i plotë i avokatit Spartak Ngjela:

“E shihni se cilin keni kryeministër? Parlamenti gjerman dhe politika gjermane po i thonë Ramës: Nuk e ke kryer Reformën se ajo të penalizon si të inkriminuar në korrupsion. Rama iu përgjigjet  si një  injorant  i trembur.

Të njëjtën gjë po i kërkon edhe politika holandeze. Kurse Rama bën sikur nuk kupton.

Zoti Rama, politika europiane të thotë: “Je i korruptuar, duhet të largohesh e të shkosh në hetim”. Pse flet përçart kur e di se çfarë po të kërkohet?

Zoti Rama! A dëshiron vërtet ti që Shqipëria të hapë negociatat me Bashkimin Europian menjëherë këto ditë? Ka vetëm një rrugë: Jep dorëheqjen si kryeministër duke theksuar: “Jap dorëheqjen, se po pres hetimin tim për dyshimet në korrupsion”.

Po e bëre këtë atëhere mënjëherë hapen negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Do shohësh, që, sapo të largohesh ti, fillon menjëherë ngritja e SPAK-ut dhe e të gjitha institucioneve të tjera nga kjo mazhorancë, bashkë me opozitën parlamentare.

E pra, zoti Rama, a e dëshiron ti vërtet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?

Jep dorëheqjen!

Ty dhe opozitën aktuale jashtëparlamentare, politika perëndimore nuk iu pranon. Kjo është e vërteta”.