Komisioni i Venecias rrëzon PS dhe Ramën: Asnjë shkelje nga Presidenti

Komisioni i Venecias ka miratuar dje dokumentin final për ligjshmërinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve të 30 qershorit nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ekspertët e këtij institucioni kanë rishikuar dhe ndryshuar draft-projektin që doli disa ditë më parë në mediat e Tiranës dhe kanë dhënë konkluzione më të qarta dhe përfundimtare.

Materiali përmbledhës, pasi raporti i plotë publikohet në ditët në vijim, i shpërndarë në rrugë zyrtare thekson më shumë se tre herë se vendimet e Presidentit Ilir Meta “nuk justifikojnë nismën për shkarkim”.

“Ka të dhëna se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre të tillë që mund të justifikojnë shkarkimin e tij”, thekson deklarata zyrtare e Komisionit të Venecias. Pra, që në titull dhe paragrafët e parë të dokumentit Komisioni i Venecias rrëzon dhe e bën të pavlefshëm komisionin hetimor të ngritur nga PS për kreun e shtetit. Ekspertët e Venecias thonë se Presidenti nuk mund të shkarkohet për shtyrjen e datës së zgjedhjeve dhe çdo debat tjetër mbi ligjet dhe Kushtetutën merr fund.

PS dhe gjithë zyrtarët e saj kanë më shumë se 3 muaj që akuzojnë Presidentin se ka shkelur Kushtetutën, por në asnjë rresht të Komisionit të Venecias nuk  përdoret fjala shkelje e Kushtetutës. Duke qenë se situata politike në Shqipëri është tejet e ndezur, Komisioni i Venecias pranon se indirekt që komisioni hetimor kundër Presidentit ka motivim politik. Në këtë mënyrë, ekspertët i vënë dhe një pritë tjetër marrëzisë së Partisë Socialiste. Dokumenti i Venecias thotë se edhe nëse komisioni hetimor i PS mund të arrijë në vendimin se ka tejkalime ligjore nga Presidenti, “Komisioni i Venecias  arrin në përfundimin se kjo nuk hynë në “shkeljet e rënda””.

Dokumenti i Venecias ka dhe një pikë tjetër, ku njeh dhe vlerëson rolin e Presidentit dhe përpjekjet e tij për t’i ulur palët në dialog, për zgjedhjen krizës. Kujtojmë që PS dhe Taulant Balla, në mënyrë publike mashtruan edhe dje në Komisionin e Venecias, duke thënë se kreu i shtetit nuk bëri tentativa për dialog. Ndërkohë Venecia e konfirmon në dokument që roli i kreut të shtetit ka qenë konstruktiv në shërbim të zgjidhjes së krizës.

Të gjithë shqiptarët e dijnë se Presidenti Meta kërkoi zyrtarisht dhe publikisht që forcat politike të mblidheshin për një datë tjetër, ndaj Presidenti priti të gjitha partitë, përjashtuar PS-në e cila nuk pranoi të shkonte në presidencë. Ndërkohë që Presidenti priste takimin me kryetarin e PS, kryeministri lajmëronte në mediat e tij se po lahej në pishinën e një hoteli përballë presidencës!

Vendimi i Komisionit të Venecias ka një diferencë të madhe me dokumentin e nxjerrë pak javë më parë nga PS-ja në media. Në seancën e mbajtur dje në Venecia, përfaqësuesve të PS që ishin në takim, Taulant Balla dhe Ulsi Manja u janë bërë disa vërejtje poshtëruese nga ekspertët e huaj, për nxjerrje të dokumentit konfidenacial. Materiali që kishte pasaktësi dhe ishte në proces përpunimi u nxor qëllimisht nga  PS në publik për ta përdorur si mjet sulmi ndaj kreut të shtetit. Paragrafët që janë hequr u servirën si qëndrim përfundimtar për të justifikuar ngritjen e komisionit hetimor, por edhe legjitimitetin e 30 qershorit. Që të gjitha pretendimet e PS u provuan se ishin mashtrime të ulëta nga ana e Partisë Socialiste. Mashtrimet vijuan edhe dje, teksa gjatë mbledhjes në Komisionin e Venecias, Taulant Balla dhe Usi Manja njoftonin mediat me SMS se “Venecia thotë që Presidenti ka shkelur Kushtetutën”.

Informacione të tilla që përhapnin fake news me firmën e Ballës dhe miratimin e Edi Ramës janë jo vetëm tallje me institucionet, por edhe pisllëk politik. Njoftimi zyrtar i Venecias, në asnjë rast, nuk flet për shkelje Kushtetuese dhe madje rrëzon dhe komisionin hetimor që drejton Ulsi Manja. Kaq e vërtetë është kjo sa edhe Edi Rama në reagimin e bërë dje në rrjetet sociale e hoqi nga përdorimi shprehjen  shkelje Kushtetuese, por merrej vetëm me pjesën që Venecia legjitimoi 30 qershorin. Në fakt, ky është mashtrimi i radhës pasi dështoi plani kundër Presidentit. Venecia as u pyet dhe as ka kompetenca të vlerësojë zgjedhjet në Shqipëri apo në një vend tjetër. Venecia u pyet nëse Presidenti duhet shkarkuar me që shtyu (jo anuloi siç thotë PS) datën e zgjedhjeve.

Përgjigja është vetëm një nuk ka shkelje Kushtetuese dhe Presidenti nuk mund të shkarkohet.

Dje Venecia përmbyti varkën e pisët të Rilindjes.

Mili Xhani