Intervista e rrallë e Albin Kurtit në burgun serb (VIDEO)

Kreu i Vetëvendosjes dhe fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti në vitin 1999 u arrestua dhe burgos nga regjimi serb për qëndrimet e tij pro pavarësisë së Kosovës.

Gjyqtarja serbe që e dënoi më 15 vite burg, deklaroi dy ditë më parë, për mediat e Beogradit se e ndëshkoi Kurtin, pasi nuk pranonte autoritetin e Serbisë.

Një intervistë e dhënë gjatë kohës që ishte i burgosur në Serbi vlerësohet si një nga qëndrimet më të forta të tij kundër Serbisë. Gazetarët që e pyesin janë të mediave serbe dhe të gjitha pyetjet janë provokuese, megjithatë Kurti ka ditur të mos i shmanget thelbit të qëndrimeve politike të tij.

Procesi gjyqësore ndaj Albin Kurtit ka filluar më 9 mars 2000 ndërkaq më 13 mars është shqiptuar dënimi prej 15 vjetësh nën akuzën “cenimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë”. Sërish, prej 14 mars 2000 deri në nëntor, ka qenë në burgun e Pozharevcit. Intervista e dhënë në burg është më 22 prill 2000.

Albin Kurti është arrestuar më 27 prill 1999 në Prishtinë. Deri me 2 maj 1999 është mbajtur në burgun e Prishtinës. Prej 2 maj deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit. Prej 10 qershorit deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit. Prej 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000, në burgun e Nishit.