PS-ja synon BE apo integrimin me Beogradin?!

Shpresat e Shqipërisë për të marrë hapjen e negociatave me Bashkimin Europian kanë marrë dje një “jo” të fortë nga një prej vendeve kryesore të BE. Franca pritet të kundërshtoj në mbledhjen e krerëve të 28 shteteve të BE, më 18 tetor, çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe shkak që mund të djegin edhe Maqedoninë e Veriut bëhet Shqipëria e cila ka probleme të forta me krimin, korrupsionin dhe keqqeverisjen.

Holanda tashmë ka një vendim të qeverisë që thotë se Shqipëria nuk ka plotësuar kushtet. Kryeministri Edi Rama dhe një pjesë e mediave afër qeverisë, i vlerësojnë këto qëndrime kundër negociatave, si pjesë e problemeve që ka Bashkimi Europian. Pavarësisht politikave të brendshme të Francës apo Holandës, fakti është se arsyeja kryesore e refuzimit është mosplotësimi i kushteve nga qeveria shqiptare, në luftën kundër korrupsionit, krimit dhe mos zgjidhjen e krizës së rëndë politike. Dështimi i Shqipërisë me negociatat nuk po vjen për shkak të problemeve që ka BE-ja brenda saj, por për shkak të krizës dhe degradimit të qeverisjes në Tiranë.

Sikur Shqipëria të ishte me notën 10 nuk kishte BE që e ndalonte!

Në momentin që ka ardhur koha e dhënies së përgjegjësive për këtë faturë të rëndë në kurriz të shqiptarëve, qeveria “Rama” ka nisur një projekt tjetër, sa të padobishëm, aq edhe të rrezikshme. Për të shmangur presionin në rritje ndaj rrëzimit 4 herë për negociatat, Edi Rama shpiku me mikun personal, Aleksandër Vuçiç një proces të ri “integrimi”. Gjatë dy ditëve të fundit Rama ishte në Serbi, ku sëbashku me Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut firmosën një projekt bashkëpunimi të quajtur “Shengeni ballkanik”. Ideja u prezantua si lëvizje e lirë për mallrat dhe qytetarët, por më shumë duket kopje e shëmtuar e krijimit të një unioni ballkanik në interes të Serbisë. Për të shkuar më tej, projekti i Shengenit duket edhe si një hakmarrje ballkanase ndaj Bashkimit Europian.

Fjalimet e Ramës, Zaev dhe Vuçiç dje në Novi Sad mund të përktheheshin edhe si sfidë dhe kërcënim ndaj vendeve të BE; “përderisa nuk na pranoni në BE, ne e krijojmë unionin këtu në Ballkan”.

Po pse shqiptarët luftuan për “shengenin ballkanik me Serbinë” apo për tu futur në Europë?!

Një qasje e tillë ndaj procesit të integrimit është jo vetëm qesharake, por edhe me kosto të rëndë për Shqipërinë. Serbia i ka hapur negociatat prej kohësh dhe është duke diskutuar kapitujt të veçantë me BE. Ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia janë ende larg nisjes së procesit. Rama për të kërcënuar BE-në i dha Serbisë rolin e një faktori kyç dhe kontrollues, duke harruar se problemet e shqiptarëve me serbët nuk janë te doganat, por nisin dhe përfundojnë te njohja e Kosovës. Rama e harroi këtë pjesë gjatë qëndrimit në Serbi dhe me marrëveshjen e nënshkruar goditi gjithë politikën dhe qëndrimin e qeverisë së Kosovës për raportet me Serbinë.

Të heqësh kufirin për Serbinë kur Beogradi nuk e njeh Kosovën si shtet është njëlloj si të hedhësh në erë gjithë politikën e jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës. Veç goditjes që i jep Kosovës qëndrimi i qeverisë “Rama” nuk duket se sjellë asnjë përfitim në Shqipëri. Ekonomia shqiptare po bëhet gjithnjë e më e varur nga produktet serbe duke u larguar nga vendet e Bashkimit Europian. Shifrat tregojnë se gjatë viteve të fundit me shumë kemi blerë në Serbi, sesa vendet e tjera në rajon dhe BE. Orientimi i tregut ekonomik drejt Serbisë mund të kthehet më vonë edhe në pengesë serioze të orientimit politik të qeverisë “Rama”. Me tone të ashpra, Edi Rama deklaroi hapur se projekti i “Shengenit ballkanik” ishte sfidë ndaj Brukselit, teksa tha se “nëse BE nuk ka kohë për ne, ne nuk do të presim ata”. Pra, kjo është zgjidhja rezervë që kryeministri i Shqipërisë mban në xhep kur do refuzohet nga Bashkimi Europian. Kur vendet e BE e kritikojnë për korrupsionin, mungesën e reformave dhe kthimin e Shqipërisë në një vend me pa zgjedhje dhe demokraci, Edi Rama shpik formulën e integrimit në një treg me Serbinë. Kryeministri ka treguar jo pak herë së në politikën e jashtme ka bërë lëvizje amatore dhe kundër interesave të shqiptarëve në rajon. Aktet dhe miqësitë personale të një politikani nuk kanë pse kthehen në linjë zyrtare të gjithë shtetit.

Partia Socialiste, historikisht ka pasur një linjë të qartë për integrimin dhe proceset drejt BE-së. Është koha që të tjerë në PS të reagojnë për eksperimentet e Edi Ramës dhe të frenojnë aventurat e rrezikshme diplomatike. Që pas viteve ’90 pika kryesore e politikës dhe diplomacisë shqiptare është integrimi në BE, jo integrimi në Serbi.

Mili Xhani