Policia kontrolle blic në disa akse rrugore. 13 të arrestuar

13 drejtues mjetesh janë arrestuar në orët e fundit, nga këta 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Sektorët e Policisë Rrugore në qarqe, ka zhvilluar kontrolle blic në akset rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve, evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve, të cilat janë rrezik potencial për sigurinë e jetës së përdoruesve të rrugës. Policia bën të ditur se si rezultat i kontrolle blic, jo vetëm në këtë aks rrugor, por në të gjitha akset rrugore në vend, gjatë orëve të fundit janë pezulluar 69 leje drejtimi, nga këto: 13 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, 37 për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 19 për shkelje të tjera që ndëshkohen me pezullim të lejes së drejtimit.

Gjatë kontrolleve janë evidentuar 2 drejtues mjetesh që qarkullonin me leje drejtimi të pezulluar më parë, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit. Janë arrestuar 13 drejtues mjetesh, nga këta 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Janë evidentuar dhe ndëshkuar 188 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara, 117 drejtues motoçikletash pa kaskë mbrojtëse, 136 pa rrip sigurimi dhe 86 për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit.

Është kontrolluar dhe verifikuar nëpërmjet tabletave dokumentacioni i 567 automjeteve, si dhe në 32 raste është bërë edhe kontroll fizik i personave dhe kontroll i imtësishëm i automjetit për sende të kundërligjshme. Policia Rrugore me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, në fundjave do ushtrojë kontrolle të befasishme në të gjithë territorin e vendit, me qëllim parandalimin e drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, parandalimin e shpejtësisë tej normave të lejuara e shkelje të tjera që janë burim aksidenti. Policia Rrugore apelon për përdorim të mjeteve të transportit publik për ata drejtues mjetesh që duan të konsumojnë alkool gjatë fundjavës.