Vasili: Edi Rama nga bulevardi i gjerë i BE te rruga e dhive të Jugosllavisë së re

Nga Petrit Vasili:

Edi Rama nga bulevardi i gjerë i BE te rruga e dhive të Jugosllavisë së re.

Dështimi dramatik i Edi Ramës në procesin e Integrimit është një faj historik i pashlyeshëm i tij.

Ai do të mbetet zhgënjimi më i madh për shqiptarët të cilët besuan dikur tek ky fjalaman, që i katandisi ata nga bulevardi i gjerë i Europës tek rruga e dhive të Jugosllavisë së re.

Shqiptarët presin hapjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe kjo aspiratë e tyre është legjitime dhe hap realisht prespektiva shumë të gjera për vendin dhe për çdo qytetar.

Jugosllavia e re nuk është asgjë tjetër veçse një shpirt i vdekur dhe një relikë pa asnjë vlerë.

Bashkimi Europian dhe realiteti integrues që ai realizon si në planin e lëvizjes së lirë, në planin ekonomik dhe atë politik është një projekt shumë i madh përballë të cilit Jugosllavia e re është veçse një reminishencë provinciale qesharake.

Jugosllavia e re pas të cilës bredh me një gëzim të dëshpëruar Edi Rama e bën atë që t’i ngjajë dhimbshëm Çiçikovit personazhit të famshëm të Nikollaji Gogolit që mblidhte Shpirtra të Vdekur.

Kjo soj Jugosllavie e re është thjesht një vdekësirë, që synon të akomodoje intrigat dhe ambiciet demode të disa liderave ballkanike.

Këta lidera të cilët të paaftë të përballen me sfida madhore si anëtarësimi në BE përpiqen të krijojnë by pass të rinj thënë më thjesht të zëvendësojnë autostradën e gjerë të BE me një rruge dhish fshati si kjo medemek e Jugosllavisë së re.

Eshtë e qartë se një kryeministër tërësisht i paaftë, mediokër dhe vulgar si Edi Rama e gjen më së miri veten në këto nisma të vdekura sorrosiste, që devijojnë nga rruga transparente dhe vizionare e integrimit europian në integrimin fshataresk drejt një projekti të vdekur pa kuptim dhe me zero impakt si ky i pseudoJugosllavisë.

Cdo lloj mikropengese burokratike mes vendeve të Ballkanit ka dhjetra mundësi të thjeshta zgjidhjeje përmes marrëveshjeve dypalëshe, ndaj dhe butaforia e Jugosllavisë së re thjesht është kundër atij dimensioni që qytetarët presin dhe që është aspirata e pandryshuar për të qenë pjesë e BE.