Treshja Rama – Vuçiç – Zaev, takohen në Serbi (Foto)

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka takuar sot kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Sipas njoftimeve nga Zyra e shtypit të presidentit të Serbisë, takimi trepalësh po zhvillohet në Novi Sad. “Axhenda e bisedimeve nuk është specifikuar, por supozohet se temë kryesore do të jetë ideja për eliminimin e barrierave tregtare”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Kryeministri Rama tha se ky takim vjen nga nevoja për të zhvilluar ekonominë dhe për të luftuar krimin e organizuar.

“Ne nuk mund të jemi peng i së shkuarës dhe mosdakortësive në dëm të fëmijëve. Mund të jetë më e lehtë të rrimë në barrikada, por kjo është një zgjedhje e keqe. Ne do të takohemi sërish në Ohër” – tha shefi i qeverisë shqiptare.

Takimi vjen pas një deklarate të mëhershme të Vuçiçit, i cili ka propozuar një qasje të përbashkët të këtyre vendeve, ngjashëm sikurse Grupi i Vishegradit, i cili përbëhet nga Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia. Në atë rast Vuçiç ka thënë se të vepruarit si bllok do t’u jepte vendeve të Ballkanit reputacion më të mirë në Evropë.

Zyrtarët serbë ndërkohë kanë theksuar se thelbi i bllokut do të qëndronte në krijimin e një tregu të përbashkët dhe një destinacioni të vetëm investimesh, që është quajtur tashmë “shengeni ballkanik”. Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë thënë se çdo hap do të diskutohet me partnerët e tyre evropianë dhe amerikanë. Në Shqipëri për momentin nuk ka deklarata zyrtare në lidhje me këtë ide.