Negociatat, Franca për Shqipërinë shkon deri në ekstrem

Diplomatët e vendeve të BE nuk bien dakord për vendimin që merret për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa i përket nisjes së negociatave.

Agjencia e njohur Bloomberg shkruan se Franca shkoi larg me kërkesat e saj

Nga Nikos Chrysoloras, BLOOMBERG

Ambasadorët që përfaqësojnë qeveritë e Bashkimit Europian dështuan të mërkurën që të arrijnë një marrëveshje nëse blloku duhet të hapë negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, thanë dy burime familjare me takimin.

Të dërguarit pritet ta diskutojnë çështjen edhe të premten, përpara një takimi ministerial javën tjetër në Luksemburg, ku do të merret një vendim, thanë zyrtarët, të cilët kërkuan që të mos identifikohen për shkak se diskutimet nuk janë publike. Ndërsa shumica e vendeve pranojnë formalisht nisjen e negociatave të pranimit, Franca ka akoma rezerva- dhe të tjera vende duan që të bashkëngjisin kushte, veçanërisht për Shqipërinë, thanë zyrtarët.

Në takimin e së mërkurës, Franca shkoi aq larg, sa vuri në pikëpyetje të gjithë ‘metodologjinë’ e procesit të zgjerimit, duke kërkuar një shtyrje të vendimit derisa blloku të rishikojë procesin, thanë zyrtarët.

Diplomatët u mblodhën për të diskutuar një draft-komunikatë, të parë nga Bloomberg, që hapte rrugën për fillimin e negociatave të pranimit. Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, si dhe presidenti i Këshillit Europian, mbështesin gjithashtu fillimin e procesit.

Mosmarrëveshjet e vazhdueshme nënkuptojnë se formulimi i komunikatës do të ndryshojë para takimit të së martës së ardhshme të ministrave të BE-së. Vetë ministrat mund të marrin një vendim nëse diplomatët nuk arrijnë një konsensus përpara tyre.