Media ndërkombëtare: Franca kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron (Foto arkiv)

Mediat ndërkombëtare shkruajnë sot se Franca do të bllokojë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kanali televiziv “Euronews” dhe agjencia “Reuters” citojnë diplomatë të Parisit, të cilët shprehen se “negociatat nuk mund të hapen në tetor 2019, do të duhet të rivlerësojmë situatën në vitin 2020”.

Nëse ky vendim i Francës do të paraqitet zyrtarisht në datën 18 tetor, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, ky pritet të jetë dhe skenari më i keq për Shqipërinë. Varianti i Gjermanisë për hapjen e negociatave me kushte edhe pse ishte “jo” e zbutur linte hapësira për një marrëveshje mes vendeve të BE-së. Por nëse qëndrimi i Francës është ky që prezantohet në median ndërkombëtare, në 18 tetor nuk do të flitet fare për negociata. Për hapjen e negociatave mjafton një votë kundër nga 28 vendet anëtare për t’i bllokuar ato.

Në vijim artikulli i plotë në Euronews:

“Franca deklaroi për shtete anëtare të Bashkimit Evropian se ishte kundër nisjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë tani për tani, thanë burime diplomatike për Reuters, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e vendeve përkatëse për t’u integruar në BE.

Më shumë se gjysma e vendeve anëtare paralajmërojnë se Rusia, Kina apo Turqia mund të përfitojnë nga një “vakum strategjik” në rajonin e trazuar, nëse BE nuk arrin të inkurajojë vendet atje.

Por, Parisi zyrtar thotë se BE po përballet me shumë sfida tani, për të lejuar zgjerimin me dy shtete të tjera nga Ballkani, një rajon ende i trazuar nga luftërat në vitet 1990, dhe që ende po përballen korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Franca thotë se BE duhet të nisë një reformë brenda saj për të trajtuar më me seriozitet e unitet sfida edhe më të mëdha, si ndryshimi i klimës dhe migracioni, ndërkohë që Shqipëria e Maqedonia e Veriut vazhdojnë me reformat e mëtejshme përpara se të nisin bisedimet për anëtarësim.

“Ata nuk janë ende gati. Ne u kërkojmë të bëjnë përpjekje të tjera”,- tha një zyrtar francez. “Negociatat nuk mund të hapen në tetor 2019, do të duhet të rivlerësojmë situatën në vitin 2020.”

28 vendet anëtare duhet të jenë në unanimitet të plotë që të nisin bisedimet e anëtarësimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Ministrat e BE do të diskutojnë çështjen përsëri në Luksemburg të martën, para se liderët europianë të takohen në Bruksel për një samit në datat 17-18 tetor.

Gjithashtu, edhe Holanda dhe Danimarka ishin qartësisht kundër nisjes së bisedimeve të Shqipërisë me BE-në, kur ambasadorët e BE diskutuan çështjen në Bruksel të enjten, megjithëse holandezët kanë sinjalizuar fleksibilitet të mundshëm për Maqedoninë e Veriut”.

Linku i lajmit në anglisht: France opposes EU membership talks with North Macedonia, Albania – diplomats. Përktheu: Lindita Kokoli